Vazhdon dëshmia e Hillit në mbrojtje të Thaçit

Diplomati i pensionuar amerikan, Christopher Hill po e vazhdon dëshminë e tij në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi në Gjykatën Speciale, me seli në Hagë.

Sot është dita e dytë e dëshmisë së tij në Hagë. Në ditën e parë, atë e mori në pyetje avokati mbrojtës i ish-presidentit Hashim Thaçi, Lluka Misetiq.

Hill ka qenë i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara gjatë periudhës së luftës në Kosovë.

Përveç Thaçit, gjyqi në Hagë po mbahet edhe kundër Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës së viteve 1998-1999, kur ishin pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Të katërtit i hedhin poshtë akuzat dhe janë deklaruar të pafajshëm.

Hill ka thënë ditën e parë të dëshmisë se Thaçi nuk e drejtonte UÇK-në dhe që ajo nuk kishte strukturë me organizim hierarkik./REL/