Më shumë se një javë pas dërgimit të komentit nga presidentja Vjosa Osmani në Gjykatën Kushtetuese për bllokadën në Kuvendin e Kosovës lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb, as Presidenca e as Kushtetuesja nuk kanë dhënë ende përgjigje. Analistët paralajmërojnë se moskonstituimi i institucioneve po dëmton reputacionin e Kosovës dhe po zbeh energjinë për gjetjen e zgjidhjeve politike.
Janë bërë më shumë se një javë qëkur presidentja Vjosa Osmani dërgoi në Gjykatën Kushtetuese komentet lidhur me bllokadën në Kuvendin e Kosovës, përkatësisht zgjedhjes së nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb.
RTK ka kërkuar si nga Presidenca, ashtu edhe nga Kushtetuesja, një qëndrim për komentet e dërguara, por që gjatë ditës nuk janë përgjigjur.
Sipas analistëve, bllokada tash e sa muajshe për konstituimin e institucioneve po ia zbeh imazhin vendit.
“Duhet themeluar institucionet sepse dëmet janë të pariparueshme, autoriteti dhe prestigji, reputacioni i Kosovës është në pikën më të ultë në planin ndërkombëtar, njerëzit, shtetet po mendojnë se ne ashtu sic trumbetonte Beogradi së nuk jemi të zot për të mbajtur shtet, po e dëshmojmë vet fatkeqësisht sikur vërtetë sjemi të aftë për të krijuar institucione, kjo do të thotë të mos e mbash shtetin, të mos e avancosh shtetin, të mos e konsolidosh shtetin dhe kjo po na ndodh dhe është gjë për cdo kritikë dhe do të duhej të përmirësohej dhe ndryshohej domosdoshmërisht”, deklaroi Mazllum Baraliu, analist.
Ndërsa Artan Muhaxhiri thotë se me nisjen e fushatës, do të ndryshojnë edhe prioritetet e klasës politike.
“Tash me fillimin e fushatës për zgjedhjet lokale, çështjet qëndrore do të dalin në nivel të dytë, pra nuk do të ketë më intersim për to, nga të gjitha partitë, nga të gjithë liderët sepse do të fokusohen në komunat e Kosovës dhe kjo do ta zbeh edhe më shumë edhe energjinë për t’u marrë por edhe idetë edhe planet për ta gjetur një zgjidhje, pra kjo nënkupton që bllokada në nivelin qendror sa i përket kuvendit dhe qeverisë do të vazhdoj edhe për një kohë të konsiderueshme”, tha Muhaxhiri.
Ndërkohë, Kushtetuesja ditë më parë ka nxjerrë vendimin për masë të përkohshme, pas kërkesës së dorëzuar nga Lista Serbe, sipas të cilit, u ndalohet deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Kosovës, deri më 30 shtator, çdo veprim dhe vendim, si dhe ndalohen procedurat për formimin e Qeverisë.