Vazhdojnë punësimet partiake, ish-deputeti i VV-së “rehatohet” në ministrinë e drejtuar nga Fitore Pacolli

Qevria Kurti 3 nisi funksionimin e saj me thyerjen e një tjetër premtimi të liderit të saj – nga reduktimi i kabinetit qeverisës siç ishte premtuar, tek zgjerimi i tij. Përpos thyerjes së këtij premtimi, Qeveria Kurti vazhdoi avazin e qeverisjes së tyre paraprake, punësimin e zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Milazim Salijaj, ish-deputet i Lëvizjes Vetëvendosje në legjislaturën e kaluar, është ‘rehatuar’ në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Salijaj është punësuar në kabinetin e ministres Fitore Pacolli.

Në fotografitë e publikuara në Facebook, Salijaj kishte konfirmuar detyrën e tij të re më 16 shkurt, katër ditë pas formimit të Qeverisë së re.

“Shumë punë na presin”, thuhej në fotografinë e Salijajt brenda ambienteve të Ministrisë së Mjedisit.

Ai është parë i afërt me ministren Pacolli duke marrë pjesë edhe në takime me përfaqësues të UNDP-së në Kosovë.

Salijaj ishte zgjedhur deputet i Kuvendit të Kosovës në zgjedhjet e shkurtit të vitit 2021.