Prapë nuk ka qetësi në Serbi. Studentët kanë vazhduar me protesta, ndërkohë që policia atje po i arreston ata.
Në Serbi vazhdojnë protestat kundër regjimit të Aleksandar Vuçiqit. Këto protesta antiqeveritare zgjasin prej muajsh. Sot situata po përkeqësohet, ndërsa pushteti reagon me dhunë policore ndaj bllokadave në rrugë. Shumë studentë janë arrestuar dhe disa janë lënduar. Ndër ta është edhe studenti dhe fotoreporteri Alleksa Stankoviq, i cili tha se policia kërkoi t’i marrë materialin e incizuar, por ai refuzoi. Pas sulmit, studentët e Fakultetit Filozofik organizuan protestë.
“Frika ishte e çastit, por përkrahja që kam marrë mbetet e paharrueshme. Dhuna kalon, solidariteti mbetet. Jam student i historisë dhe tani po shkruajmë histori të re së bashku”, tha Stankoviq.
Ministria e Punëve të Brendshme mohon akuzat për represion, ndërsa presidenti Vuçiq protestat i quan “revolucion me ngjyra” të financuar nga Perëndimi. Opozita, megjithatë, thotë se vendi ndodhet në një gjendje të jashtëzakonshme të pashpallur dhe se regjimi po përdor dhunë brutale ndaj qytetarëve. Në ditët e fundit janë arrestuar dhjetëra protestues. Studentët paralajmërojnë për përshkallëzim të represionit.
“Nuk kemi parë një represion të tillë prej dekadash. Studentët futen në makina të paidentifikuara, pa urdhër e pa shpjegim. Ne të gjithë duhet të qëndrojmë së bashku kundër një sistemi shtypës, një regjimi që mbështetet në shtyllat e dhunës” tha një student nga Fakulteti Filozofik, duke shtuar se kërkesat janë lirimi i të ndaluarve, ndalimi i represionit dhe zgjedhje të lira.
Protestat vazhdojnë në formën e mosbindjes qytetare. Qytetarët bllokojnë rrugët me kontejnerë, mjete të ndryshme ose duke kaluar vazhdimisht në vijat e bardha. Ata theksojnë se nuk do të ndalen në luftën për një shoqëri të lirë dhe demokratike./rtk
The post Vazhdojnë protestat kundër Vuçiqit appeared first on Kosovapost.net.