Vazhdimi i seancës konstituive, edhe PDK e AAK do të shkojnë nesër në Kuvend

Deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovë nesër në Kuvend do t’u bashkohen edhe ata të Partisë Demokratike të Kosovës, si dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. 

Pjesëmarrjen e AAK’së në këtë seancë e ka konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net deputetja e zgjedhur, Time Kadriaj.

“Po, ne do të jemi në Kuvend nesër”, ka deklaruar Kadriaj.

Ndërkohë, pjesëmarrjen e PDK’së, e kanë konfirmuar burime brenda kësaj partie.

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës duhet të thirret më së largu nesër, pas ndërprerjes së seancës së djeshme.

Ai ka thënë se kështu e parasheh Rregullorja e Kuvendit të Kosovës, andaj ka thënë se deputetët e LDK-së do të jenë në seancën e cila duhet të thirret.

Ai u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve të certifikuar dhe partive parlamentare që të jenë prezent në këtë seancë.

“Seanca konstituive e Kuvendit të Republikës duhet të mbahet e të thirret më së largu çdo 48 orë. Nesër, nga ora 10:00, siç e parasheh Rregullorja e Kuvendit të Kosovës, deputetët e LDK-së do të jenë prezent në seancën që duhet të ndodhë. LDK-ja i fton të gjithë deputetët e certifikuar dhe të gjitha partitë parlamentare, të jenë prezent në këtë seancë”, ka shkruar Abdixhiku.

Seanca konstituive e Kuvendit ka dështuar dje, pasi raporti i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve nuk mori votat e mjaftueshme të deputetëve.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ndërpreu punimet, teksa sot i është drejtuar Presidentes Vjosa Osmani, se si të veprohet më tutje.

Në këtë seancë duhej që deputetët, pas miratimit të raportit, të bënin betimin dhe të zgjidhinin kryetarin dhe nënkryetarët./Reporteri.net