Papa Françesku ka vdekur nga sulmi në tru, ka njoftuar Vatikani të hënën, transmetoi BBC-ja.
Në njoftim u tha gjithashtu se 88-vjeçarit i ndaloi së funksionuari edhe zemra.
Sipas mjekësisë, sulmi në tru nënkupton kur truri papritmas nuk merr më gjak dhe oksigjen të mjaftueshëm, gjë që çon në dëmtimin e qelizave të trurit. Ky sulm di të jetë vdekjeprurës në rast se nuk trajtohet me urgjencë.
Qindra njerëz janë mbledhur në sheshin Shën Pjetri në Vatikan ku po luten për Papa Françeskun. Në mbarë botën janë mbajtur mesha për nder të tij.
Edhe në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë janë ndezur qirinj për nder të tij.
“Pas meshës së shenjtë për shpirtin e Papës Françeskut, të cilën e udhëhoqi ipeshkvi ynë, Imzot Dodë Gjergji, para Katedrales u ndezën qirinj për shpirtin e tij. Papa Françesku, pushoftë në paqe!”, thuhet në njoftim.
Vatikani konfirmoi se në testamentin e fundit, Papa Françesku kishte kërkuar që të varrosej në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe në Romë dhe pa dekorime të veçanta.
Ai gjithashtu kishte kërkuar që vendi i tij i prehjes të kishte mbishkrimin e emrit të tij në latinisht “Franciscus”.