Vatikani do ta ndërpresë sinjalin telefonik gjatë konklavës më 7 maj

Vatikani ka njoftuar se do ta ndërpresë sinjalin telefonik brenda qytetit-shtet të vogël, gjatë konklavës për ta zgjedhur papën e ri – por, kjo nuk do të prekë edhe Sheshin e Shën Pjetrit, raporton “The Guardian”. 

Nga Vatikani është njoftuar se “të gjitha sistemet e transmetimit të sinjalit të telekomunikimit për telefonat celularë të pranishëm në territorin e Shtetit të Vatikanit…do të çaktivizohen” nga ora 15:00 më 7 maj.

“Sinjali do të rikthehet pas njoftimit për zgjedhjen e papës së ri”, thuhet në deklaratë.

Një total prej 133 kardinalësh nga e gjithë bota do të mblidhen në Kapelën Sistine të Vatikanit të mërkurën për ta filluar votimin për një kryesues të ri të 1.4 miliardë katolikëve të botës. Papa Françesku vdiq më 21 prill.

Zgjedhjet do të kryhen në fshehtësi të plotë dhe kardinalëve do t’u kërkohet të lënë telefonat e tyre celularë kur të hyjnë në konklavë, tha zëdhënësi i Vatikanit, Matteo Bruni.