Varrimi i babait të Salih Mustafës pa praninë e tij, Gucati e quan “qeveri të turpit” pushtetin

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka adresuar kritika të ashpra ndaj Dhomave të Specializuara në Hagë dhe ndaj qeverisë në detyrë të Kosovës, gjatë ceremonisë së varrimit të babait të Salih Mustafës – Calit.

Salih Mustafa, i dënuar nga Gjykata Speciale me 15 vjet burgim, nuk është lejuar të marrë pjesë në varrimin e të atit, çka ka nxitur reagimin e Gucatit. “E dimë që kjo gjykatë është shumë e dëmshme për vendin. Është dashur që ta lejonte Calin për vizitë humanitare para 5-6 ditësh, por as sot nuk e liruan për varrim”, tha ai, duke e cilësuar dënimin si të padrejtë dhe të bazuar në “dëshmitarë të rrejshëm dhe dosje të falsifikuara”.

Gucati shtoi se Salih Mustafa do ta gjejë forcën “ashtu siç ka qenë i fortë edhe në luftë, edhe në burgjet e ish-Jugosllavisë”, ndërsa shprehu ngushëllime për familjen përmes mediave.

Kritika të drejtpërdrejta ai adresoi edhe ndaj institucioneve të Kosovës, duke e quajtur qeverinë në detyrë “qeveri të turpit”. Sipas tij, Ministria e Drejtësisë është dashur të ndërhynte zyrtarisht për t’i mundësuar Mustafës pjesëmarrjen në varrim.

Ai deklaroi gjithashtu se mbrojtja e Mustafës ka kërkuar nga Haga lirimin e tij të përkohshëm për disa orë, por se deri më tani nuk ka pasur përgjigje. “Kjo nuk është gjykatë e Evropës, këtu s’ka drejtësi”, përfundoi Gucati, siç e citoi Klan Kosova.