Vandalizohen vagonët e rinovuar të “Trainkos” në Hani të Elezit

Vagonët e trenit të “Trainkos” në Han të Elezit, të sapo kthyer nga riparimi, u gjetën të dëmtuar dhe të mbuluar me ngjyra në hapësirën e Stacionit Hekurudhor. Policia konfirmoi se rasti është regjistruar dhe hetimet kanë nisur, ndërsa ekipet po kërkojnë të zbardhin se kush qëndron pas aktit vandal që goditi asetet publike.

“Është kontaktuar prokurori i shtetit dhe rasti është cilësuar si “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”. Rasti po hetohet nga Njësisë së Hetimeve”, ka deklaruar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.

Incisdenti pason pas dëmtimit të xhamave që kishte ndodhur në muajin prill.

Ndërmarrja Publike Hekurudhat e Kosovës “Trainkos” ka reaguar pas rastit, ku kishte kërkuar nga organet kompetente hetim të plotë dhe ndëshkim të përgjegjësve.

“Që nga fillimi i këtij projekti në vitin 2019, dëmet ndaj ndërmarrjes janë të mëdha:humbje financiare që tejkalojnë 10 milionë euro, humbje të klientelës dhe të imazhit, zhvendosje të konsiderueshme të klientëve nga transporti hekurudhor në atë rrugor”.

“Këto pasoja do të vazhdojnë të ndihen për një periudhë të gjatë dhe rikuperimi i plotë do të kërkojë vite. Ky akt vandal është dëm i drejtpërdrejtë ndaj pronës publike dhe ndaj përpjekjeve tona për modernizimin dhe përmirësim të shërbimeve të transportit hekurudhor”, thuhet në reagimin e “Trainkos”.