Vance i kërkon Evropës të mos jetë “vasal i SHBA-ve”

Zëvendës presidenti amerikan ka kritikuar vazhdimisht liderët evropianë, duke thënë në fjalimin e tij në Mynih shkurtin e kaluar se ata nuk po bënin sa duhet për të luftuar imigracionin dhe se liria e shprehjes ishte nën kërcënim në Evropë.

Evropa është “aleati ynë”, por nuk mund të jetë një “vasal i përhershëm” i Shteteve të Bashkuara për sigurinë dhe tregtinë e saj, tha të martën zëvendës presidenti i SHBA-ve JD Vance në një intervistë me faqjen e lajmeve UnHerd.

“Ne e shohim Evropën si aleatin tonë. Ne thjesht duam një aleancë ku evropianët janë pak më të pavarur dhe siguria dhe marrëdhëniet tona tregtare do ta reflektojnë këtë”, u shpreh JD Vance, i cili ka sulmuar vazhdimisht liderët evropianë. “Nuk është mirë për Evropën dhe nuk është në interesin e Amerikës që Evropa të jetë një vasal i përhershëm i Shteteve të Bashkuara në aspektin e sigurisë”, këmbënguli ai.

Që nga kthimi në Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump u ka kërkuar evropianëve të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen e tyre dhe ka kritikuar ashpër Bashkimin Evropian, duke e akuzuar atë për ndjekjen e politikave të padrejta tregtare ndaj Shteteve të Bashkuara.

Nënkryetari i tij ka kritikuar vazhdimisht liderët evropianë, duke argumentuar në fjalimin e tij në Mynih shkurtin e kaluar se ata nuk po bënin mjaftueshëm për të luftuar imigracionin dhe se liria e shprehjes ishte nën kërcënim në Evropë.

“Realiteti është se – është brutale të thuhet, por është e vërtetë – e gjithë infrastruktura evropiane e sigurisë ka qenë, që kur kam lindur, e subvencionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, deklaroi JD Vance në këtë intervistë me faqen britanike të lajmeve.

Me përjashtim të Francës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Polonisë, sipas tij, “shumica e shteteve evropiane nuk kanë një ushtri të aftë për të siguruar një mbrojtje të arsyeshme”.