Van Dijk thërret Isak te Liverpool-i: Ka gjithmonë vend për një sulmues si ai, të shohim…

Zërat mbi Alexander Isak dhe “muri” i ngritur nga Newcastle, për momentin po i pengojnë përpjekjet e Liverpool-it për t’u afruar te sulmuesi suedez, aq sa oferta mbi 100 milionë euro është refuzuar. Kjo ka shkaktuar edhe pak pakënaqësi për mungesën e transferimit në “Anfield”.

Shumë pyesin nëse kampionët e Anglisë, pas një merkatoje madhështore kësaj vere, mund ta bëjnë vërtet goditjen finale, të marrin sulmuesin 25-vjeçar. Kapiteni Virgil van Dijk ka shprehur mendimin e tij mbi këtë çështje.

“Sapo kemi humbur Darwin, shkoi në Arabinë Saudite. Kemi humbur Lucho (Luis Diaz), që shkoi te Bayerni, – tha Van Dijk për “talkSPORT” pas humbjes në “Community Shield” ndaj Crystal Palace. – Mendoj se ka gjithmonë vend për një sulmues që mund të na forcojë, kështu që të shohim çfarë do të sjellë merkatoja në aspektin e ekuilibrit të skuadrës”.

Edhe Arne Slot, trajneri i Liverpool-it, foli për merkaton pas ndeshjes: “Pas dy vitesh pa ndryshime, kemi arkëtuar shumë para dhe mendoj se ishte momenti i duhur për të sjellë energji të reja. Humbëm 4 titullarë dhe lojtarë që kanë dhënë shumë për ekipin.

Disa donin të largoheshin, si Trent (Alexander-Arnold). Për pasojë, duhej të ndërhynim në merkato dhe e bëmë. Tani duhet të sigurohemi që të jemi gati për ndeshjen ndaj Bournemouth, më pas do të kemi Newcastle në transfertë dhe Arsenalin. Nuk kam pse t’ju them sa të forta janë këto dy skuadra”.

The post Van Dijk thërret Isak te Liverpool-i: Ka gjithmonë vend për një sulmues si ai, të shohim… appeared first on Telesport.