Valverde, MVP i mbrëmjes në “Bernabeu”: Ishte ndeshja më e mirë e karrierës sime

Federico Valverde u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes (MVP) në fitoren 3-0 të Real Madridit ndaj Manchester City, në ndeshjen e parë të 1/8-ave të Champions League. Kapiteni bëri një paraqitje të paharrueshme duke shënuar 3 gola: “Është e pabesueshme, gjithmonë ëndërron netë të tilla. Dua të falënderoj shokët e skuadrës që më japin besim, stafin dhe tifozët që na kanë mbështetur gjithmonë, edhe pse ka qenë një sezon i vështirë”.

Për performancën shtoi: “Pa dyshim është ndeshja më e mirë e karrierës sime, sidomos për golat. E shijova shumë dhe kishte kohë që nuk kënaqesha kaq shumë në një ndeshje”. Valverde shpjegoi edhe rolin më ofensiv: “Trajneri më kërkon të futem nga linja e dytë dhe të sulmoj. Sot kishim më shumë kontroll në mesfushë dhe u përpoqa të sulmoja më shpesh. Shokët më dhanë pasime të shkëlqyera”.

Për ndeshjen e kthimit në Manchester: “E dimë që atje është shumë e vështirë. Duhet të shkojmë sikur rezultati të jetë 0-0”. Në fund tha me humor: “Trofeun e MVP do t’ua jap fëmijëve të mi, ata tashmë janë shumë të lumtur”.

The post Valverde, MVP i mbrëmjes në “Bernabeu”: Ishte ndeshja më e mirë e karrierës sime appeared first on Telesport.