Vendimi i Gjykatës Speciale për zgjatjen e afatit për shpalljen e aktgjykimit për ish- krerët e UÇK-së, ka ngjallur reagime të shumta. PDK-ja e ka quajtur vonesë të pajustifikueshme, dhe të ndikuar nga kalkulimet politike. E platforma “Liria ka Emër” e ka cilësuar si precedent i keq për drejtësinë ndërkombëtare. Gjatë së mërkurës, Avokati i Popullit u është drejtuar me një letër shumë diplomatëve, në të cilën ka shprehur shqetësimin për shkelje gjatë procesit gjyqësor, e Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka dorëzuar në Speciale një peticion me mbi 200 mijë nënshkrime
Gjykata Speciale e ka konfirmuar zgjatjen e afatit për shpalljen e aktgjykimit për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, vendim që ka nxitur reagime në Kosovë.
Në njoftimin e Dhomave të Specializuara në Hagë, është thënë se 20 korriku nuk është data e shpalljes së aktgjykimit, por data që përcakton afatin e zgjatur.
“Po, paneli gjyqësor ka nxjerrë një vendim për zgjatjen e afatit për shpalljen e aktgjykimit të gjykimit edhe për 60 ditë të tjera, deri të hënën, më 20 korrik 2026, për shkak të kompleksitetit të çështjes. Kjo datë nuk është data e shpalljes së aktgjykimit, por vetëm data që përcakton afatin e zgjatur. Paneli shtoi se, nëse një zgjatje tjetër bëhet absolutisht e nevojshme, ai do të nxjerrë një urdhër për këtë në kohën e duhur”, thuhet në njoftimin e Speciales me seli në Hagë.
Ish-krerët e UÇK-së kanë thënë fjalët e tyre përfundimtare më 18 shkurt para trupit gjykues. Ata edhe një herë janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Gjykimi ndaj katërshes së UÇK-së ka nisur më 3 prill 2023 – gati tre vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.
Fillimisht, shpallja e aktgjykimit ishte paraparë të bëhej më 19 maj, në përputhje me afatet procedurale.
Megjithatë, sipas rregullores së Gjykatës Speciale, trupi gjykues ka në dispozicion 90 ditë për nxjerrjen e vendimit, me mundësi shtyrjeje edhe për 60 ditë shtesë.
Akuzat për Specialen
Vendimi për ta shtyrë datën ka nxitur reagime në Kosovë.
Platforma “Liria ka emër”, që avokon për të akuzuarit në Hagë, ka reaguar, duke e konsideruar këtë vendim si zgjatje të padrejtësisë.
Sipas kësaj organizate, kjo praktikë nuk mund të shihet më si procedurë normale gjyqësore, por si degradim serioz i parimeve themelore të drejtësisë për gjykim brenda afatit të arsyeshëm.
“Kjo praktikë e vazhdueshme e vonesave të paarsyeshme nuk mund të shihet më si procedurë normale gjyqësore, por si një degradim serioz i parimeve themelore të drejtësisë për një gjykim brenda afatit të arsyeshëm. Ky proces që po zvarritet për vite të tëra, me shtyrje të përsëritura, e ka humbur tërësisht kredibilitetin dhe është shndërruar tashmë në mekanizëm që prodhon padrejtësi të vazhdueshme. Mbajtja e ish-krerëve të UÇK-së për gati gjashtë vjet në paraburgim bie ndesh me çdo standard të drejtësisë ndërkombëtare dhe të drejtave themelore të njeriut”, thuhet në reagim.
Sipas kësaj organizate, vendime të tilla dëmtojnë rëndë besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë ndërkombëtare, duke krijuar perceptimin e një procesi të zvarritur, të pabalancuar dhe të papërgjegjshëm.
Ka reaguar edhe Partia Demokratike (PDK), dy ish-kryetarë të së cilës janë pjesë e procesit – Thaçi dhe Veseli.
Në reagimin e PDK-së thuhet se vonesa është dëshmi që procesi i stërzgjatur ka humbur kuptimin e drejtësisë dhe është shndërruar në proces të ndikuar nga kalkulimet politike.
“Shtyrja e fundit është një goditje tjetër ndaj besimit tonë në drejtësi dhe një padrejtësi e shtuar ndaj ish-krerëve të UÇK-së, të cilët prej rreth pesë vjetësh e gjysmë po mbahen në paraburgim, duke ua shndërruar këtë masë në një dënim të heshtur të imponuar përmes vonesave të përsëritura”, thuhet në njoftim.
PDK-ja i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare dhe institucioneve të drejtësisë që të mos lejojnë që ky proces të shndërrohet në shembull të dështimit të drejtësisë ndërkombëtare.
“PDK-ja mbetet e palëkundur në bindjen për pafajësinë e ish-krerëve të UÇK-së dhe kërkon një vendim përfundimtar, pa vonesa të mëtejshme, i cili do të mundësojë rikthimin e tyre në Kosovë”, thuhet më tej në reagim.
Alarmi nga Prishtina
E, gjatë ditës, Avokati i Popullit, Naim Qelaj, u është drejtuar me letër përmes kanaleve diplomatike sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, Departamentit të Drejtësisë të SHBA-së dhe shteteve financuese të Dhomave të Specializuara të Kosovës, duke ua përcjellë raportin “Vlerësimi paraprak i Dhomave të Specializuara të Kosovës” dhe duke ngritur shqetësime serioze mbi bazën e gjetjeve të tij. Njëkohësisht, letra u është përcjellë edhe ministrave të Jashtëm të Zvicrës, Norvegjisë, Turqisë dhe Kanadasë.
Sipas njoftimit të Avokatit të Popullit, raporti është shpërndarë gjithashtu te zyrtarë të lartë ndërkombëtarë, përfshirë presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, përfaqësuesen e lartë të BE-së për politikë të jashtme, Kaja Kallas, presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, si dhe drejtues të Këshillit të Evropës.
Në letër, Avokati i Popullit ka shprehur shqetësime për garantimin e një gjykimi të drejtë në procedurat e Dhomave të Specializuara, duke iu referuar gjetjeve të organizatës “Bar Human Rights Committee of England and Wales”. Ai ka theksuar se institucioni që drejton ka monitoruar vazhdimisht respektimin e të drejtave themelore dhe kushtet e të paraburgosurve, ndërsa për shkak të shqetësimeve të vazhdueshme ka angazhuar BHRC-në për një vlerësim të pavarur.
Sipas raportit, janë identifikuar probleme serioze në mbrojtjen e garancive procedurale, veçanërisht në lidhje me të drejtën për një gjykim të drejtë, transparent dhe të paanshëm.
“Në këtë kontekst, rikujtohet se këto standarde janë të garantuara nga Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të cilat zbatohen drejtpërdrejt në rendin juridik të Kosovës përmes Kushtetutës”, thuhet në njoftim.
Qelaj ka theksuar se respektimi i këtyre parimeve është thelbësor për legjitimitetin dhe besueshmërinë e proceseve gjyqësore, dhe ka kërkuar që praktikat e gjykatës të përputhen plotësisht me standardet më të larta ndërkombëtare të drejtësisë, transparencës dhe pavarësisë.
Ai ka thënë se adresimi i shqetësimeve të evidentuara është i domosdoshëm jo vetëm për mbrojtjen e të drejtave të të akuzuarve, por edhe për ruajtjen e integritetit të procesit gjyqësor.
Avokati i Popullit ka rikujtuar “angazhimin e vazhdueshëm të Kosovës ndaj drejtësisë ndërkombëtare dhe sundimit të ligjit”, duke theksuar se themelimi i Dhomave të Specializuara në Hagë është bërë përmes ndryshimeve kushtetuese dhe legjislacionit përkatës. Ai ka veçuar gjithashtu faktin se përfaqësues të lartë politikë të Kosovës janë dorëzuar vullnetarisht për t’u përballur me drejtësinë, si dëshmi e përkushtimit institucional ndaj llogaridhënies dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Haga njoftohet me peticionin
E, gjatë ditës, në Gjykatën Speciale është dorëzuar peticioni me 200 mijë nënshkrime me kërkesën “Drejtësi për çlirimtarët”, ka konfirmuar kryetari i Organizatave të Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati.
“Ky nuk është thjesht një peticion, është vullneti i pastër i një kombi që nuk e harron sakrificën. Me besimin e palëkundur te lufta e pastër e UÇK-së, urojmë dhe shpresojmë që këtë verë dielli të lindë ndryshe me krerët tanë në shtëpi, aty ku e kanë vendin, në Kosovën e lirë!” ka shkruar Gucati në Facbook tek e ka publikuar momentin e dorëzimit të peticionit në gjykatën në Hagë.
Peticioni online u nis më 25 shkurt.
Nëpërmjet tij bëhet thirrje për proces të drejtë ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së.
Ish-presidenti Thaçi, ish-kryeparlamentarët Veseli e Krasniqi dhe ish-deputeti Selimi kanë paraqitur fjalët finale më 18 shkurt. Ata përcollën mesazhin se luftuan për liri dhe se drejtësia duhet të bazohet në të vërtetën, e jo në narrativat e kundërshtarëve dhe të Prokurorisë.
Thaçi i ka thënë trupit gjykues se armik e kishte vetëm kasapin e Ballkanit.
“I vetmi kundërshtar i imi dhe i botës demokratike ishte Sllobodan Millosheviqi”, ka deklaruar ai në gjykatore, dhe ka theksuar se në luftë as që mund të ëndërronte ta shtrinte pushtetin në të gjithë Kosovën siç pretendon prokuroria, e cila përgjegjësinë për krimet e pretenduara nga pjesëtarë të UÇK-së ia ka faturuar katër anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm.
“U ktheva në atdhe për të rrezikuar jetën time për liri. Për çfarë kontrolli është fjala? Kush? Kontrolli dhe pushteti ishin në duart e hekurta të Slobodan Millosheviqit. Të askujt tjetër”, ka thënë ai.
Sikurse Hashim Thaçi, edhe Veseli ka theksuar se është kthyer nga mërgimi në Kosovë. Ai ka shprehur besimin se trupi gjykues do të vendosë drejt.
E, gjatë fjalës së tij, Selimi iu referua në disa raste pretendimeve të prokurorisë. Ato i gjykoi si të pabaza dhe tha se organi i akuzës synon dënimin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.
Edhe Krasniqi ka thënë se akuzat ndaj ish-udhëheqësve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së janë të ngjashme me narrativat e atyre që i shtypën shqiptarët.
Para fjalës përfundimtare të katër ish-përfaqësuesve të UÇK-së, në Gjykatën Speciale folën avokatët e tyre. Që të gjithë kërkuan vendim lirues nga gjykata, e avokati i Veselit i quajti bërllok provat e Prokurorisë.
Kryegjykatësi Charles Smith III e ka shpallur të mbyllur çështjen gjyqësore pas deklaratave përmbyllëse që Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi, i dhanë para trupit gjykues. Gjykatësi ka thënë se do të jetë në kontakt me palët në muajt në vijim lidhur me datën e shpalljes dhe rishikimit të aktgjykimit në këtë rast. E, tek tash është konfirmuar se trupit gjykues i duhet më shumë kohë për të vendosur.
Prokuroria i akuzon Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin, për ndërmarrje të përbashkët kriminale që ndërlidhet me gjashtë akuza për krime lufte: Përndjekje (Pika 1), Burgosje (Pika 2), Akte të tjera çnjerëzore (Pika 4), Torturë (Pika 6), Vrasje e paligjshme (Pika 8), Zhdukje me dhunë (Pika 10), si dhe katër akuza për krime kundër njerëzimit, përfshirë këtu arrestim dhe ndalim i paligjshëm ose arbitrar (Pika 3), Trajtim mizor (Pika 5), Torturë (Pika 7) dhe Vrasje e paligjshme (Pika 9). Shumica e viktimave të krimeve, sipas Prokurorisë, janë shqiptarë, civilë dhe pjesëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Prokuroria ka kërkuar nga 45 vjet burgim për secilin nga të akuzuarit, pasi pretendon se ata kanë qenë në dijeni apo është dashur të jenë në dijeni shkaku i pozitave udhëheqëse në Shtab të Përgjithshëm, lidhur me pretendimet për krimet që janë kryer dhe kanë pasur qëllim që ta marrin pushtetin në Kosovë përmes tyre.
Ish-drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së i kanë mohuar të gjitha këto akuza. Ata kanë thënë se UÇK-ja nuk kishte hierarki të tillë, meqë peshën e kishin komandantët e zonave dhe se kishte për qëllim ta luftonte Serbinë e jo civilët./Koha









