Një valë e re e inflacionit e ka përfshirë Kosovën, pas rritjes së çmimit të rrymës. Çmimet janë ngritur si për produktet bazë të vendit por edhe ato të importuara. Qytetarët ndjehen të shqetësuar e frustruar me gjendjen, ndërkaq ekspertët e ekonomisë kërkojnë ndërhyje urgjente nga shteti.
Si asnjëherë më parë, qytetarët e Kosovës thonë se janë ngritur çmimet dhe jeta për ta çdo ditë po shkon duke u vështirësuar.
Edhe më të prekur janë kategori si ata me të ardhura të ulëta e pensione.
“Shumë shtrenjtë janë për të jetuar, për pensionet s’ka ku të shkoj për çdo gjë. Ushqimi është shumë shtrenjtë…Mos me m’ndihmu djemtë, nuk mund të jetojë me pension. 100 euro veç barna i blej…Buka e të gjitha, si t’i çel sytë në mëngjes është shumë shtrenjtë”, ka thënë Merihban Dula – Qytetare.
“Çmimet në Kosovë kurrë më keq nuk kanë qenë, asnjë pagë nuk i paguan ato, le më ne pensionerët po heqim më së shumti. Në vend se t’i zbresin po i rrisin…Veç për barna çka po shkojnë boll, e lë më tjera rrallë…Shteti ish dashtë prej klasës që ka pagat më të ulëta t’i rrisë dhe t’i zbresë çmimet sepse janë rrit për së tepërmi”, ka thënë Fahredin Halimi – Qytetar.
“Çmimet të larta janë…Rroga e dobët, dikush nuk ka hiq, të larta janë çmimet…Ish dashtë (të ndërhyjë shteti)…Lartë është buka, dikush nuk ka kushte”, ka thënë Rexhep Hajdari – Qytetar.
Në rritjen e fundit të çmimit pa dyshim që ka ndikuar shtrenjtimi tjetër i energjisë elektrike prej 16.1 për qind por pos produkteve vendore, çmimet janë rritur edhe për ato të importuara.
Ekspert të ekonomisë kanë disa propozime.
“Institucionet e vendit ish dashtë me urgjencë të reagojnë nëpërmjet politikave fiskale, politikave monetare, edhe pse ne nuk prodhojmë valutë, por me pa se çka mund të subvencionojë interesat e kredisë për prodhuesit tanë, por edhe për eksport që janë. Po ashtu me pa mundësinë se ku ka hapësirë të subvencionoj, qoftë biznesin apo qytetarin e Republikës së Kosovës që të mos e vërejë këtë rritje, ose këtë tendencë të rritjes së çmimeve”, ka thënë Lulzim Rafuna – Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës.
”Me vendimin e ZRRE- së do të ketë efekt zingjiror në ekonomi”.
“Jemi para një akti të kryer, pasi si pjesa e gastronomisë, po ashtu edhe buka çdo ditë e më shumë po kemi ngritje të çmimeve. Shteti në vend se të marrë hapa në lehtësimin e jetës së qytetarit, shteti me vendimet e veta po rëndon çdo ditë e më shumë jetën e qytetarit”, ka thënë Mustafë Kadrijaj – Ekonomist.
Prej 10 e deri në 50 për qind ka produkte të cilave u është rritur çmimi muajve të fundit në Kosovë, ndërkaq deri tani nuk ka pasur asnjë veprim nga asnjë institucion në vend, përfshirë inspektoratin për mundësinë e rritjes artificiale të çmimeve nga bizneset.