Vala e të nxehtit në të gjithë Evropën shkaktoi 2.300 vd*ekje

Vala e fortë e të nxehtit që përfshiu Evropën që nga java e kaluar vlerësohet të ketë shkaktuar rreth 2.300 vdekje, sipas një studimi të publikuar sot, transmeton Anadolu.

Afërsisht 1.500 (65 për qind) nga 2.300 vdekjet e vlerësuara të lidhura me të nxehtin janë të lidhura me ndryshimet klimatike, të cilat sollën një valë më të fortë të të nxehtit në të gjithë kontinentin, sipas studimit të kryer nga shkencëtarët në Imperial College London dhe London School of Hygiene and Tropic Medicine.

Studimi tha se ndryshimet klimatike trefishuan vdekjet e lidhura me të nxehtin në fillim të verës në të gjithë Evropën.

Hulumtuesit u përqendruan në 10 ditë vape nga 23 qershori deri më 2 korrik dhe mbuluan 12 qytete evropiane, duke përfshirë Londrën, Parisin, Frankfurtin, Budapestin, Zagrebin, Athinën, Romën, Milanon, Sassari, Barcelonën, Madridin dhe Lisbonën.

“Gjetjet e kësaj analize dhe shumë të tjerave janë jashtëzakonisht të qarta: ekstremet e të nxehtit në të gjithë Evropën po rriten me shpejtësi për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu”, thuhet në hulumtim.

Më tej, hulumtimi nënvizoi se këto qytete përjetuan një rritje të temperaturave deri në 4 gradë Celsius.

Paralajmërohet se temperaturat e valës së të nxehtit do të vazhdojnë të rriten, duke rritur me shumë gjasa numrin e vdekjeve.

Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike Koperniku i BE-së tha gjithashtu të mërkurën në një buletin mujor të klimës se qershori 2025 ishte qershori i tretë më i ngrohtë në nivel global.

“Qershori 2025 pa një valë të jashtëzakonshme të nxehtësisë që preku pjesë të mëdha të Evropës Perëndimore, me pjesën më të madhe të rajonit që përjetoi valë shumë të fortë të nxehtësisë. Kjo valë e nxehtësisë u bë më intensive nga temperaturat rekord të sipërfaqes së detit në Mesdheun perëndimor”, tha Samantha Burgess, udhëheqëse strategjike për klimën në Qendrën Evropiane për Parashikime të Motit me Afat Mesëm.

Burgess paralajmëroi se valët e nxehtësisë ka të ngjarë të bëhen “më të shpeshta, më intensive” dhe të ndikojnë në më shumë njerëz në të gjithë Evropën.

The post Vala e të nxehtit në të gjithë Evropën shkaktoi 2.300 vd*ekje appeared first on Kosovapost.net.