“Uzurpator i institucioneve”: Bajrami zbërthen pikë për pikë shkeljet ligjore të Kurtit dhe deputetëve të tjerë “ministra”

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ekspozoi pikë për pikë në Debat Plus shkeljet flagrante kushtetuese të deputetit të betuar, Albin Kurti dhe deputetëve të tjerë të VV-së që vazhdojnë të ushtrojnë funksionet ekzekutive. Bajrami dekonstruktoi në plotni narrativën e pushtetit për “ligjshmëri” në vendimet e fundit, duke argumentuar tashmë për të disatën herë uzurpim të paprecedent institucional në historinë politike të Kosovës.

“Gjykata Supreme e ka anuluar një vendim të ministrit Hekuran Murati dhe si rezultat i atij vendimi – ne sot nuk e kemi në fuqi Udhëzimin Administrativ për digjitalizimin e arkave fiskale. Tjetra, ligji për Qeverinë asnjëherë nuk flet dhe asnjë paragraf nuk është diku dhe asnjë fjali që thotë se mund ta kesh një kryeministër në detyrë i cili është deputet i betuar i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ky ligj ka vlejtur në dhjetor të vitit të kaluar kur i ke pasur zgjedhjet e shpallura më 9 shkurt.” – deklaroi Bajrami në “Debat Plus”.

Bajrami sqaroi se Ligji për Qeverinë nuk njeh një kryeministër në detyrë që njëkohësisht është deputet i betuar.

“Ky ligj ka vlejtur në situatën e dhjetorit të vitit të kaluar sepse në atë kohë zoti Kurti ka qenë vetëm kryeministër në detyrë. Në atë kohë, Hekuran Murati ka qenë ministër i Financave në detyrë. Zoti Kurti dhe zoti Murati në atë kohë nuk kanë qenë deputetë të betuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës. E ka thënë Gjykata Supreme.” – u shpreh deputetja Bajrami.

Deputetja e LDK-së kujtoi momentin që, sipas saj, e shpërfaq në tërësi shkeljen flagrante të Kushtetutes dhe ligjeve në fuqi nga Albin Kurti – fjalimin e tij në Kuvend më 26 tetor, ku kishte pranuar hapur se vendimet madhore për paga, pensione dhe buxhetin mund të merren vetëm pasi qeveria të marrë besimin e Kuvendit.

“Në anën tjetër, a e dini ju që vetë zoti Kurti e ka pranuar një gjë të tillë? Në fjalimin e tij në Kuvend me datën 26 tetor të këtij viti, thotë: Me të marrë besimin tuaj, të nderuar deputetë, pesë vendimet e para që do t’i ndërmarrim si qeveri që në javën e parë do të jenë: miratimi i projektligjit për buxhetin për vitin 2026; vendimi për caktimin e pensionit minimal në vlerë prej 150 euro; vendimi për rritjen e shtesave për fëmijë me mbi 50%; vendimi për rritjen e pagës minimale në 500 euro që prek një pjesë të madhe të punëtorëve në sektorin privat.

Çka ka ndodhur? Më datë 31, deputeti Kurti nuk votohet, e lëshon ulësen e Kuvendit, merr vetëm 56 vota, kthehet në mbledhjen e qeverisë – që Gjykata Supreme, vendimet e secilës nuk ke t’i ankimosh më, e konsideron si uzurpator të institucioneve – ky kthehet si deputet dhe çka bën? I merr pikërisht ato vendime.” – deklaroi Bajrami.