Tanku simbolizon ambicien teknologjike të Turqisë në industrinë ushtarake.
Ushtria Turke ka marrë zyrtarisht në përdorim tankun e parë “Altay” të prodhuar në seri, duke shënuar një hap të madh drejt krijimit të një flote plotësisht vendase të mjeteve të blinduara.
I emërtuar në nder të Fahretin Altay Pashës, komandantit që udhëhoqi hyrjen në Izmir gjatë Luftës së Pavarësisë, tanku simbolizon ambicien teknologjike të Turqisë në industrinë ushtarake.
Ceremonia e dorëzimit, ku do të marrë pjesë presidenti Recep Tayyip Erdoğan, do të mbahet në Kahramankazan të Ankarasë, në kompleksin e ri të kompanisë BMC, që shtrihet në një sipërfaqe prej 840 mijë metrash katrorë dhe përfshin linja prodhimi, qendra testimi dhe fabrikën e motorëve “BMC Power”.
Sipas planit të prodhimit, tre tanke do t’i dorëzohen ushtrisë deri në fund të vitit 2025, 11 gjatë 2026-s, 41 në 2027 dhe 30 në 2028 – gjithsej 85 tanke të variantit T1.
Pas vitit 2028 do të nisë prodhimi i variantit T2, i pajisur me motorin vendas “Batu”, duke sjellë deri në 250 tanke në shërbim brenda pesë viteve.










