Mbi 2400 vjet më parë, poeti grek Pindari shkroi një varg poetik “Glyky d’apeiroi polemos” që, përkthyer në shqip, i bie “Lufta është e ëmbël për ata që nuk e kanë përjetuar”. Kurdo që pushtetet populliste në Kosovë e Serbi i përshkon kriza e legjitimitetit moral dhe dështimet në qeverisje bëhen kapicë, prospekti i një lufte në horizont është praktika më e pëlqyer. Megjithëse shteti ynë ka për dorëzan sigurie ShBA-në dhe NATO-n, qeveria në largim shpesh e mbivlerëson Serbinë në terma ushtarakë. Ajo vërtet ka siprani krahasuar me ushtritë në rajon, porse po kaq ka edhe dobësi e disavantazhe.
Col Mehmeti
Siç është pritur, nënshkrimi në Tiranë i Memorandumit të Bashkëpunimit Trepalësh mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë ka nxitur reagime të forta në Beograd.
E interpretuar arbitrarisht si ‘aleancë’, një zhvillim si ky i rikthen krahasimet mbi peshën dhe takatin e forcave ushtarake në rajon.
Sado pasqyra krahasimore gëlojnë gjithandej në internet, prej faqeve profesionale e deri te videot në Youtube, raporti i vërtetë i forcave është më pak dramatik sesa që paraqitet.
Deterent kryesor që Ballkani të mos kridhet në një vertigo luftrash është rrethana që, me përjashtim të Serbisë dhe Bosnjës, i gjithë rajoni është pjesë e Aleancës Ushtarake Veriatlantike (NATO).
Më e rëndësishmja nga të gjitha, NATO, përmes misionit të vet në Kosovë, KFOR, është dalazotësja kryesore e integritetit territorial të Republikës së Kosovës.
Derisa buxheti i sivjetme për Forcat e Sigurisë së Kosovës është më i madh sesa ai i viteve të kaluara, njësoj siç ka ndodhur edhe me vendet e tjera të rajonit, kryeministri në largim Albin Kurti shpesh e përmend Serbinë dhe ushtrinë e saj si kërcënim kryesor për sigurinë e vendit tonë.
Si qëndrojnë Kosova e Serbia në raporte krahasimore?
Më i pari dallim është ai i numrit të popullsisë. Sipas një të dhëne, popullata e Serbisë sivjet vlerësohet se është 6,689,039, kurse ajo e Kosovës, mbështetur në regjistrimin e fundit, është 1,586,659.
Kësisoj, pasuria humane e Serbisë është katër herë më e madhe sesa ajo e Kosovës.
Ndryshimi i vetëm në profilin demografik është te fakti se derisa mosha mesatare në Serbi është 43.4 vjet (së paku deri më 2020), ajo në Kosovë është shënueshëm më e re. Sipas regjistrimit të vjetmë, mosha mesatare në Kosovë është 34.8.
Personeli aktiv i Ushtrisë serbe, sipas pjesës më të madhe të të dhënave zyrtare e jozyrtare, është 22,500 njerëz.
Këtë personel e përbëjnë rreth 4200 oficerë, 6500 nënoficerë, 8200 ushtarë profesionistë si dhe rreth 3500 civilë.
I gjithë sistemi i saj i mbrojtjes ka mbi 300 mijë njerëz, ku bëjnë pjesë Forcat e Armatosura, Ministria e Mbrojtjes dhe institucione të ndryshme (institutet, akademitë, spitalet e njësitë e tjera).
Në anën tjetër, personeli i Forcave të Armatosura të Kosovës, sipas planit të rekrutimit përgjatë një periudhë 10-vjeçare, përbëhet nga 5 mijë pjesëtarë aktivë dhe 3 mijë të tjerë rezervë.
Pikat e forta dhe ‘thembrat e Akilit’ në Ushtrinë serbe
Sipas vlerësimeve, një nga pikat më të forta të ushtrisë serbe është personeli i saj me veteranë që kanë përvoja domethënëse nga luftrat në ish-Jugosllavi.
Pikë tjetër e fortë janë sistemet e saj të mbrojtjes ajrore, siç janë S-125, Buk-M2 dhe Kub, të cilat janë modernizuar megjithëse janë të kohës sovjetike.
Në një përballje me Kosovën ose cilindo nga fqinjët e saj, Serbia do të përfitonte jo pak nga sistemet e saj artilerike dhe raketore, të tilla si tankset M-84, mjetet luftarake BVP-2, si dhe lansues të avancuar raketash si GMLRS.
Një element tjetër që i jep epërsi të shënueshme është industria e saj e mbrojtjes, me kompani si Yugoimport që prodhojnë një larushi armësh e mjetesh ushtarake.
Por, krahas këtyre pikave të forta, ushtria serbe çalon në plot drejtime. ‘Flotilja’ e saj e avionëve përbëhet nga 14 avionë MiG-29, të cilët megjithë avancimet në Rusi e Bellarusi, janë thjesht të pagjasë në përballje me forcat ajrore të vendeve të NATO-s.
Një aspekt tjetër ku ushtria serbe vuan keq është edhe varësia e saj në doktrina alla-sovjetike, të dalakohësh, e jo të përputhshme me strategjitë e ravijëzuara nga NATO.
Blerjet e armëve të sofistikuara
Më 2021, revista britanike The Economist pati shkruar se babëzia e Serbisë për blerje armësh (shopping spree for weapons) ishte një burim shqetësimi për fqinjët.
Sipas Stockholm International Peace Research Institute, në një analizë të bërë më 2022, buxheti i Beogradit i paraparë për mbrojtje ishte 1.3 miliard euro, gjë që e bënte dhjetë herë më të madh se ai i Kosovës.
Siprania e saj mbi vendet fqinje vjen në shprehje edhe nga formacioni i saj me 250 tankse (sa për krahasim, forcat e armatosura të Gjermanisë kanë vetëm 295 sosh).
Një tjetër dimension i frikshëm i ushtrisë serbe është se, duke përfituar nga fuqizimi i saj gjeopolitik dhe afrimi me Perëndimin, është prospekti që ajo të përfitojë nga teknologji e sisteme që janë të ndëroperueshme me pajisjet e NATO-s.
E tillë duhet parë përpjekja që ushtria serbe ka përmirësuar mbrojtjen e saj ajrore me sistemet franceze të radarëve Alpha GM200 dhe GM400.
Me Francën i ka dalë mirë edhe pazari tjetër ku, në saje të një marrëveshje të bërë në gushtin e vitit të kaluar, Serbia ka porositur 12 avionë Rafale (të gjeneratës së katërt) në vlerë prej 2.7 miliardë eurosh.
Në anën tjetër, industria serbe e mbrojtjes ka përshtatur dronat Komar FPV, të zhvilluar nga Institututi Teknik Ushtarak – bëhet fjalë për dronat vetëvrasës Komar 1 dhe Komar 2.