Ushtria izraelite pretendon se ka goditur një magazinë armësh në veri të Gazës

Ushtria izraelite tha se kreu një sulm ndaj një vendi magazinimi armësh në Gazën veriore të mërkurën, ku agjencia e mbrojtjes civile e territorit tha se vrau një person.

Sulmi erdhi disa orë pasi Izraeli njoftoi se po rinovonte zbatimin e armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA-të pas një vale bombardimesh gjatë natës, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

“Pak kohë më parë, IDF (ushtria izraelite) kreu një sulm të saktë në zonën e Beit Lahia në Rripin verior të Gazës duke synuar një vend të infrastrukturës terroriste ku ruheshin armë dhe mjete ajrore, të destinuara për t’u përdorur për ekzekutimin e një sulmi të afërt terrorist kundër ushtarëve të IDF dhe Shtetit të Izraelit”, është thënë në një deklaratë.

Mahmud Bassal, zëdhënësi i agjencisë së mbrojtjes civile të Gazës, i tha AFP-së se një person “u vra në një sulm ajror izraelit në zonën Atatra në Beit Lahia, në Rripin verior të Gazës, dhe u transferua në Spitalin Al-Shifa”.

Agjencia e mbrojtjes civile vepron si një forcë shpëtimi nën autoritetin e Hamasit.

Ushtria izraelite nisi një valë bombardimesh të martën pasi një nga ushtarët e saj u vra në Gaza në të njëjtën ditë, por deri në mes të mëngjesit të së mërkurës tha se kishte filluar “zbatimin e rinovuar të armëpushimit” duke rezervuar të drejtën për të mbrojtur trupat e saj.