Ushtria e ShBA-së godet objektivat e grupit të Shtetit Islamik në Siri

ShBA dhe forcat e saj partnere kanë kryer sulme në shkallë të gjerë kundër objektivave të grupit të Shtetit Islamik në Siri, raportoi BBC duke iu referuar Komandës Qendrore të ShBA-së.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, urdhëroi sulmet të shtunën, të cilat janë pjesë e “Operacionit Hawkeye Strike”, në shenjë hakmarrjeje për sulmin vdekjeprurës të ISIS-it ndaj forcave amerikane në Siri më 13 dhjetor, shkroi Centcom në X.

Sipas Centcom, sulmet u kryen në një përpjekje për të luftuar terrorizmin dhe për të mbrojtur forcat amerikane dhe ato partnere në rajon.

“Mesazhi ynë mbetet i fortë: nëse lëndoni luftëtarët tanë, ne do t’ju gjejmë dhe do t’ju vrasim kudo në botë, pavarësisht sa shumë përpiqeni t’i shmangeni drejtësisë,” tha CENTCOM.

Forcat amerikane dhe ato partnere lëshuan mbi 90 municione preçize në mbi 35 objektiva, në një operacion që përfshiu më shumë se 20 avionë, duke përfshirë modelet F-15E, A-10, AC-130J, MQ-9 dhe F-16 jordanezë, tha një zyrtar amerikan për CBS News, partnerin amerikan të BBC-së.