Ushtria e Kosovës dhe e Shqipërisë trajnohen për ndërtimin e urave ushtarake

Instruktorët e Regjimentit të Xhenios nga Forca e Sigurisë së Kosovës po zhvillojnë një trajnim të specializuar për ndërtimin e urave ushtarake të tipit “Mabey Johnson” për pjesëtarët e Xhenios nga Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë (FARSH).

Sipas njoftimit të FSK-së, ky trajnim realizohet në kuadër të marrëveshjeve bilaterale mes FSK-së dhe FARSH-it, me qëllim forcimin e bashkëpunimit në fushat e interesit të përbashkët dhe avancimin e kapaciteteve profesionale e operacionale të të dy forcave.

Për të parë nga afër ecurinë e këtij bashkëpunimi, trajnimet u vizituan nga atasheu ushtarak i Shqipërisë në Kosovë, kolonel Beqir Tafili, si dhe komandanti i Regjimentit të Xhenios në FSK, OF4 Agron Xhekaj.

Ky aktivitet nënvizon përkushtimin e të dy forcave për rritjen e kapaciteteve teknike dhe koordinimin operacional në fushën e xhenios ushtarak.

The post Ushtria e Kosovës dhe e Shqipërisë trajnohen për ndërtimin e urave ushtarake appeared first on Kosovapost.net.