I shtrenjtë, i zhurmshëm dhe tetë vjet me vonesë, por Ushtria Britanike më në fund ka një automjet të ri të blinduar luftarak që trupat mund ta dislokojnë në Ukrainë në rast të ndonjë marrëveshjeje paqeje.

Ajaxi me vlerë gati 10 milionë funta peshon më shumë se 40 ton.

Mbretëria e Bashkuar po e paraqet atë si një makinë luftimi e “gjeneratës së ardhshme”, e pajisur me kamera, forca të blinduara mbrojtëse dhe një top 40 mm, me plumba që mund të shpojnë betonin.

Ministria e Mbrojtjes deklaroi se ajo që njihet si aftësia fillestare operative për Ajax është përmbushur.

Ajo e përcaktoi këtë si aftësinë për të vendosur një skuadrilje prej 27 automjetesh në operacione nga një grup prej 50 automjetesh.

Bëhet e ditur se numri i përgjithshëm i automjeteve të dorëzuara Ajax është 165. Ato vijnë në gjashtë variante, me llojin kryesor të projektuar për zbulim dhe luftime.

Ushtria ka porositur gjithsej 589 nga modelet e ndryshme, të cilat pret t’i marrë deri në vitin 2030 .

Ndryshe, Ajax shënon automjetin e parë të ri të blinduar luftarak që hyn në shërbim në pothuajse 30 vjet dhe po zëvendëson pajisjet e vjetra që datojnë që nga vitet 1970.

Ajax ishte menduar të arrinte momentin e tij fillestar operativ në vitin 2017, por kjo datë është shtyrë vazhdimisht.

Vonesa më serioze ndodhi kur testimet u ndërprenë pasi ushtarët pësuan lëndime dëgjimore dhe lëndime të tjera për shkak të zhurmës së lartë dhe dridhjeve që vinin nga automjetet.

Kjo është arsyeja pse kushdo që përdor Ajax sot duhet të mbajë mbrojtëse për veshë.

Automjeti bën shumë zhurmë – megjithëse ushtarët thanë se kjo nuk do të ndikonte në aftësinë e tij për të kryer misionin e tij kryesor të zbulimit.

Ata thanë se Ajax është i pajisur me kamera dhe sensorë të zgjuar që mund të dallojnë një objektiv deri në tetë kilometra larg.

Kur mund të vendoset në Ukrainë?

Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe një koalicion prej më shumë se 30 aleatësh janë zotuar të vendosen në Ukrainë për të ndihmuar në sigurimin e paqes nëse Kievi dhe Moska bien dakord për një lloj armëpushimi – një qëllim që Donald Trump është përpjekur ta arrijë, por që duket shumë i pamundur për momentin.

Por, Ajax mund të jetë në listën e lojtarëve që do të ofrohej për misionin. /Telegrafi/