Ushtria amerikane i bën thirrje Hamasit ta ndalë dhunën ndaj civilëve në Gazë dhe të çarmatoset

Komanda e Ushtrisë Amerikane në Lindjen e Mesme i bëri thirrje të mërkurën Hamasit ta ndalë dhunën ndaj civilëve në Rripin e Gazës dhe të çarmatoset “pa vonesë”, pasi grupi militant po përpiqet ta rimarrë kontrollin duke vendosur forca sigurie dhe duke i ekzekutuar ata që i cilëson si bashkëpunëtorë të Izraelit.

Hamasi është i shpallur grup terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera.

Grupi palestinez, i cili nuk është zotuar publikisht se do të çarmatoset apo se do të heqë dorë nga pushteti, ka filluar t’i rikthejë dalëngadalë njerëzit e vet në rrugët e Gazës qëkurse nisi zbatimi i armëpushimit të premten.

Hamasi i ka vrarë më shumë se 30 anëtarë të një “bande” në Qytetin e Gazës, tha të hënën për Reuters një burim i sigurisë palestineze, pa dhënë hollësi për grupin në fjalë.

Hamas i ka arsyetuar këto veprime duke u thirrur në arsye sigurie dhe kriminalitet.

“Ne i bëjmë thirrje Hamasit që menjëherë ta ndalë dhunën dhe të shtënat ndaj civilëve të pafajshëm palestinezë në Gazë”, tha komandanti Brad Cooper, kreu i komandës qendrore të ushtrisë amerikane (CENTCOM).