Ushtarët italianë të KFOR-it zhvillojnë stërvitje me helikopterë dhe pajisje për kontrollin e turmave

Ushtarët italianë të Komandës Rajonale Perëndim (Regional Command West) të misionit të udhëhequr nga NATO – KFOR, kanë zhvilluar një stërvitje të përbashkët me fokus përdorimin e helikopterëve dhe pajisjeve për kontrollin e turmave (CRC – Crowd and Riot Control).

Sipas KFOR-it, qëllimi i këtij aktiviteti ishte përmirësimi i procedurave të hipjes dhe uljes nga helikopteri gjatë operacioneve që përfshijnë pajisje speciale për menaxhimin e turmave.

“Këto ushtrime lejojnë përmirësimin e gatishmërisë dhe performancës operacionale të njësive,” u tha në njoftim.

KFOR ka theksuar gjithashtu përkushtimin për vazhdimin e zbatimit të mandatit të tij, të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999.

Misioni synon të kontribuojë në ruajtjen e një ambienti të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë njerëzit dhe komunitetet në Kosovë, si dhe të garantojë lirinë e lëvizjes në mënyrë të paanshme dhe të pandërprerë.