Korporata Energjetike e Kosovës ka dhënë një tender në vlerë 138 mijë me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë. Vlera e parashikuar për këtë kontratë ka qenë 129 mijë euro, pra i bie se është tejkaluar shuma për 9 mijë euro, shkruan Reporteri.net.
Tender është dhënë dje për furnizim me hidroksid natriumi për nevojat e Termocentralit “Kosova A” dhe “Kosova B”. Ky përbërës përdoret për rregullimin e pH-së së ujit, parandalimin e korrozionit në pajisje dhe pastrimin e sistemit nga depozitat minerale.
Në njoftimin për dhënien e kontratës thuhet se do të vazhdohet menjëherë më nënshkrimin e kontratës shkaku i rezervave të pamjaftueshme për këtë vikend.
“Për shkak të urgjencës dhe rezervave të pa mjaftueshme për këtë vikend, A.K. do të vazhdojë menjëherë me nënshkrimin e kontratës”, thuhet në njoftim.
Me kontratë është shpërblyer kompania “Grami SH.P.K.”. Nënshkrimi i kontratës ka qenë i planifikuar për dje.
Kohëzgjatja e kontratës është për tre muaj.
“Çdo palë e interesuar mund të bëjë ankesë pranë Autoritetit Kontraktues në bazë të nenit 108/A te ligjit Nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik të Republikës se Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin Nr. 04/L-237, ligjin Nr. 05/L-068 dhe ligjin Nr. 05/L-092 ne adresën e specifikuar ne Nenin I te këtij Njoftimi për dhënie te kontratës”, thuhet në njoftim. /Reporteri.net