Seanca gjyqësore ndaj kryetarit të PSD-së, Dardan Molliqaj, dështoi sërish të enjten në Gjykatën Themelore të Prishtinës për shkak të mungesës së tij. Gjyqtari Fisnik Gashi njoftoi se ndaj Molliqajt do të lëshohet urdhërarrest.
“Seanca e sotme e shqyrtimit gjyqësor nuk mund të mbahet për shkak të mungesës së të pandehurit Dardan Molliqaj. Ndaj të pandehurit Dardan Molliqaj do të lëshohet urdhërarrest”, tha gjyqtari Gashi.
Në sallë ishin të pranishëm i akuzuari Fatos Sahiti, avokati i Molliqajt, Dren Kukaj, si dhe pala e dëmtuar, Haki Abazi me avokaten e tij, Sadije Mjekiqi. Për shkak të mungesës së kushteve ligjore, seanca u shty.
Molliqaj kishte munguar edhe në seancën e 4 shtatorit 2025, duke e arsyetuar atëherë me angazhimet në fushatën zgjedhore.
Sipas aktakuzës së ngritur më 18 shkurt 2020, Molliqaj dhe Sahiti akuzohen për “Sulm” në bashkëkryerje, vepër e dënueshme me gjobë ose deri në një vit burg. Prokuroria pretendon se më 11 shtator 2019, pas debatit televiziv “Pressing” në T7, në ambientet e Kolegjit “AAB”, Molliqaj e kishte thirrur Abazin me fjalët: “ndalu këtu të flasim çka deshte me thënë në debat”, pas çka e kishte sulmuar fizikisht.
Në aktakuzë thuhet se sulmit më pas i ishte bashkuar edhe Sahiti, duke goditur Abazin me grushta, derisa ky i fundit kishte arritur të largohej dhe të njoftonte policinë.