Urban e pranon: Ishim me fat, Shqipëria mund të kishte kaluar edhe në rezultatin 2-0

Trajneri i Polonisë, Jan Urban, e ka pranuar hapur pas ndeshjes se skuadra e tij ishte me fat përballë Shqipërisë, duke theksuar se kuqezinjtë kishin mundësi reale për t’i ndëshkuar dhe marrë një rezultat tjetër.

“Në fillim, në 10-15 minutat e para, Shqipëria nuk mundi të dilte nga gjysmëfusha e vet. Mund ta shikoje të gjithën me qetësi, sepse dukej sikur ishte vetëm çështje kohe para se të shënonim. Në një farë mënyre, e shtymë ne kundërshtarin të fillonte të luante dhe ta mbante topin më shpesh. Me kalimin e minutave shqiptarët po rriteshin dhe fillonin të besonin në vetvete.

Pse kaq shumë gabime? Do të doja gjithashtu ta dija përgjigjen, sepse në të vërtetë ishin gabime të thjeshta, edhe kur pësuam golin. Do të flas me lojtarët për këtë, por dyshoj se ishte nga përgjegjësia e madhe e ndeshjes, ndoshta njëfarë stresi dhe fakti që në një moment gjërat nuk po shkonin sipas dëshirës sonë. Kjo shpesh çon në lojë nervoze, vendime të këqija.

Është thjesht futboll. Është e njëjta gjë si kur shënohet një gol, ekipi rifiton besimin dhe fillon të luajë, edhe pse disa mund të thonë se na kundërsulmuan një herë dhe patën një shans për ta bërë rezultatin 2-1. Ndoshta ishim shumë të etur për ta fituar ndeshjen dhe ndonjëherë sulmuam me shumë lojtarë, duke harruar se shqiptarët mund të kundërsulmojnë. Nuk kam dyshim se ishim shumë me fat në ato situata.

Rezultati mund të shkonte 0-2 për ne? E dija që ishte një moment shumë i rëndësishëm, si për ta, ashtu edhe për ne, por kurrë nuk mendova se loja do të mbaronte edhe me disavantazhin e dy golave. Mendoj se po e përballonim mirë stresin. Dhoma e zhveshjes ishte e qetë gjatë pushimit. Këto nuk janë momente kur emocionet duhet të na mposhtin”.

The post Urban e pranon: Ishim me fat, Shqipëria mund të kishte kaluar edhe në rezultatin 2-0 appeared first on Telesport.