Upamecano “nuk ngopet”! Do rritje page, bonus firme dhe… klauzolë për Premier League!

Çmenduritë financiare në futboll veçse shtohen. Rasti i fundit është Dayot Upamecano, për të cilin Bild ka zbuluar disa detaje interesante.

Mbrojtësi francez në verë mund të largohet me parametra zero (fund kontrate), por ka shprehur dëshirën për të rinovuar. Problemi është se kërkesat e tij janë të tepruara.

Upamecano kërkon rritje page të ndjeshme, thuajse në nivelet e Alphonso Davies dhe Joshua Kimmich (nga 15 deri në 20 mln euro). Së dyti, ai kërkon bonus firme rreth 16 mln euro. Shifër të ngjashme ka përfituar edhe Davies para një viti.

Problemi tjetër është se francezi kërkon klauzolë largimi pas dy vitesh. Aktualisht, klauzola e tij është 120 mln euro. Duket se agjenti i tij po planifikon një lëvizje në Premier League pas dy vitesh (vera 2028) dhe për këtë i duhet një klauzolë më e ulët (60 deri në 70 mln euro).

Bayern deri tani i ka refuzuar këto kërkesa. Klubi është dakord për rritjen e pagës, por jo për shifrën e bonusit dhe as për klauzolën. Ka vetëm një detaj që mund ta tundojë Bayern. Gjermani Schlotterbeck në 2027 del lojtar i lirë te Borussia Dortmund. Ai mund të transferohet praktikisht “falas”.

Nëse rinovon me Upamecano, atëherë shitja e francezit pas dy vitesh do të ishte më e pranueshme, sepse një vit para largimit të tij në Mynih do të jetë afruar Schlotterbeck. Pra, në 2026 qendërmbrojtësit e Bayern do të jenë Upamecano-Guehi-Tah-Ito (nëse afrohet Guehi), në 2027 Upamecano-Guehi-Tah-Schlotterbeck dhe në 2028 Bayern mund të tentojë një talent për të “kompensuar” francezin.

The post Upamecano “nuk ngopet”! Do rritje page, bonus firme dhe… klauzolë për Premier League! appeared first on Telesport.