UNMIK: Serbia ende nuk ka ndëshkuar organizatorin e sulmit në Banjskë – kërkohet veprim urgjent

Misioni i përkohshëm administrativ i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) i ka bërë thirrje të qartë institucioneve kompetente në Beograd dhe Prishtinë që të marrin masa për të procesuar dhe sjellë para drejtësisë personat përgjegjës për sulmin e armatosur në fshatin Banjskë, në veri të Kosovës, që ndodhi në shtator të vitit 2023.

Kjo kërkesë u theksua në raportin e fundit të UNMIK-ut, i cili iu paraqit Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara nga zëvendësshefi i misionit dhe ushtruesi i detyrës së përfaqësuesit special, Milbert Dongjoon Shin, më 21 tetor.

“Kanë kaluar dy vite nga incidenti i sigurisë në Banjskë. U bëjmë thirrje institucioneve përkatëse në Beograd dhe Prishtinë që të çojnë para drejtësisë autorët e këtij sulmi,” tha Shin gjatë prezantimit të raportit.

Sulmi në Banjskë dhe mungesa e drejtësisë

Në shtator të vitit 2023, një grup i armatosur serbësh sulmoi policinë e Kosovës në fshatin Banjskë, duke vrarë një zyrtar policor. Shumica e të dyshuarve që ndodhen në Kosovë janë në arrati, ndërkohë që Beogradi, i cili zhvillon një hetim paralel, ende nuk ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radojiçiqit, ish-nënkryetar i Listës Serbe, i cili publikisht e ka pranuar përgjegjësinë për organizimin e sulmit.

UNMIK thekson se mosndëshkimi i atyre që kanë marrë pjesë në sulmin e Banjskës përbën një kërcënim serioz për stabilitetin rajonal dhe sundimin e ligjit në Kosovë dhe më gjerë. Misioni i OKB-së kërkon që autoritetet në të dyja anët të marrin masa konkrete dhe transparente për hetimin dhe ndëshkimin e përgjegjësve.

Në raport theksohet se përveç dialogut në Bruksel dhe zhvillimit të zgjedhjeve lokale në Kosovë, çështja e mosndëshkimit për ngjarjen në Banjskë mbetet një pengesë e madhe për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Edhe përfaqësuesi i BE-së në Këshillin e Sigurimit, Stavros Lambrinidis, u shpreh se Brukseli pret nga Serbia të ndërmarrë masa konkrete për të ndëshkuar autorët e sulmit në Banjskë dhe të ndihmojë në deeskalimin e situatës në veri të Kosovës.

Ndërkohë, përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara e mbështeti përpjekjen e UNMIK-ut, por vuri në dukje se nuk ka më kërcënime serioze të sigurisë në Kosovë dhe kërkoi shuarjen graduale të misionit, duke e cilësuar si të tejkaluar në misionin e tij fillestar. /REL