Rektori i të ashtuquajturës “Universitet i Prishtinës” në Mitrovicën e Veriut pretendon se disa “persona të panjohur me veshje civile”, sot në mëngjes kanë shkuar në Rektorat me kërkesë që Fakulteti i shkencave teknike të shpërngulet në afat prej 30 ditëve apo të nënshkruaj kontratë me Universitetin e Prishtinës.
“Të gjithë u befasuam në mënyrë të pakëndshme. Nuk e dimë nëse ishte policia, personat ishin me veshje civile. Ata sollën një dokument nga Universiteti i Prishtinës, në të cilin thuhet se ndërtesa e Fakultetit të Shkencave Teknike ndodhet në një lokacion që i përket Universitetit të Prishtinës dhe kërkohet që brenda 30 ditësh fakulteti të lirohet ose në ndonjë mënyrë të hyjë në marrëdhënie kontraktuale me ta. Ne i kemi shqyrtuar edhe parcelat kadastrale në të cilat ndodhet ndërtesa e Fakultetit të Shkencave Teknike. Ato janë “parcelat e Trepçës” dhe kjo ndërtesë kurrë nuk ka qenë pronë e Universitetit të Prishtinës, as para luftës”, ka deklaruar Arsiqi për portalin serb Kosovoonline, transmeton Paparaci.
Ai ka shtuar se me këtë situatë i kanë njoftuar organet më të larta të Serbisë dhe po presin të shohin se cili do të jetë reagimi.
“Gjithashtu kemi njoftuar edhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare. Përfaqësuesit tanë aktualisht kanë bisedime me ta për të parë se për çfarë bëhet fjalë. Megjithatë, kjo është vetëm edhe një dëshmi se Prishtina synon të veprojë ndaj Universitetit, Universitetit tonë”, pretendon rektori.
I pyetur se çfarë pret nga bisedimet për këtë temë dhe nëse ka ndonjë zgjidhje në horizont, Arsiqi thotë se veprimi i Prishtinës është “provokimi radhës dhe një testim i pulsit për të parë se si do të reagojë Serbia”.
“Ne jemi të vetëdijshëm për situatën në të cilën ndodhemi, jemi të vetëdijshëm se pa shtetin tonë ne aty vetë nuk mund të bëjmë asgjë. Prandaj presim reagimin e organeve shtetërore për të parë se si do të zhvillohen më tej gjërat, ndërsa ne jemi në kontakt të vazhdueshëm edhe me ta edhe me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare”, ka përfunduar Arsiqi./Paparaci.com










