Bëhet fjalë për tre fëmijë romë, të cilët kanë lindur në Greqi nga prindër shqiptarë që jetojnë në vend pa leje të ligjshme qëndrimi.
Shqipëria ka shkelur të drejtat e tre fëmijëve romë duke mos regjistruar lindjet e tyre, duke i lënë ata pa njohje ligjore dhe në rrezik të pashtetësisë, thonë gjetjet e Komitetit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut (UNHRC).
Komisioni publikoi gjatë javës vendimin e tij për një çështje në lidhje me tre fëmijë që jetojnë në Shqipëri pa regjistrim të lindjes dhe pa asnjë identitet ligjor.
Kur çështja e tyre u soll për herë të parë para Komitetit, dy fëmijët më të mëdhenj ishin 15 vjeç dhe më i vogli katër.
“Pa regjistrimin e lindjes, një fëmijë nuk ekziston në të dhënat zyrtare, i privuar nga identiteti ligjor, i privuar nga qasja në të drejtat themelore si arsimi dhe kujdesi shëndetësor dhe përballet me shfrytëzimin dhe pashtetësinë”, tha anëtarja e Komitetit Teraya Koji.
Bëhet fjalë për tre fëmijë romë, të cilët kanë lindur në Greqi nga prindër shqiptarë që jetojnë në vend pa leje të ligjshme qëndrimi.
Për shkak të statusit të padokumentuar të prindërve të tyre në Greqi, lindjet e fëmijëve nuk mund të regjistroheshin siç duhet atje, vijon UNHRC-ja.
Pas kthimit në Shqipëri, prindërit u përballën me pengesa shtesë për regjistrimin e fëmijëve të tyre, pasi ata nuk ishin në gjendje të siguronin certifikatat greke të lindjes të kërkuara nga ligji shqiptar.
Kjo i la fëmijët në një gjendje të paqartë ligjore, duke i penguar ata të ndiqnin shkollën, të merrnin kujdes mjekësor ose të aksesonin shërbimet sociale.
“Legjislacioni i brendshëm shqiptar siguron që, siç ishte rasti për këta tre fëmijë romë, çdo individ i lindur nga një ose dy prindër me kombësi shqiptare, të fitojë automatikisht shtetësinë shqiptare. Megjithatë, në këtë rast, si në praktikën e përgjithshme në Shqipëri, marrja e shtetësisë sipas legjislacionit vendas është efektive vetëm pasi të regjistrohet lindja e një fëmije”, shton organi i OKB-së.
UNHRC-ja vëren se duke mos ndihmuar tre fëmijët e kësaj çështjeje në regjistrimin e lindjeve dhe marrjen e shtetësisë shqiptare, autoritetet e vendit kanë shkelur të drejtat e tyre sipas nenit 24 (2-3).
Ndërsa legjislacioni i Shqipërisë për regjistrimin e lindjeve është në dukje neutral, Komiteti vuri në dukje se në praktikë ai pati një ndikim joproporcional te njerëzit me origjinë rome, për shkak të lëvizshmërisë së tyre, statusit të tyre të migrimit në shtetet e tjera dhe cenueshmërisë së tyre ekonomike, duke i ekspozuar relativisht më shumë fëmijë romë ndaj pashtetësisë.
“Kështu, Komiteti konstatoi se Shqipëria shkeli nenin 24 (1) dhe nenin 26, të cilët kërkojnë mbrojtje të barabartë dhe efektive për të gjithë fëmijët, pavarësisht nga origjina, gjinia, gjuha, feja ose statusi tjetër”, theksojnë gjetjet e UNHRC-së.
Komiteti i bëri thirrje Shqipërisë që të korrigjojë menjëherë këto shkelje duke regjistruar lindjet e fëmijëve, duke njohur kombësinë e tyre dhe duke ofruar qasje në shërbimet thelbësore.
Më tej, ai i kërkoi shtetit palë të rishikonte legjislacionin e tij për të siguruar qasje të barabartë në regjistrimin e lindjeve për të gjithë fëmijët, pavarësisht nga statusi ligjor i prindërve ose përkatësia etnike.