Ukraina teston dronë të rinj kamikazë rezistentë ndaj ndërhyrjeve ruse

Grupi ukrainas i inovacionit në mbrojtje Brave1 ka përfunduar fazën përfundimtare të testimit të dronëve të rinj kamikazë me një rreze veprimi prej më shumë se 40 kilometrash, njoftoi Ministri i Transformimit Dixhital Mihajlo Fedorov.

Dronët janë projektuar për t’i bërë ballë sistemeve ruse të luftës elektronike dhe zbatimi i tyre në luftë pritet së shpejti, shkruajnë mediat e huaja.

“Dronët luftarakë kamikazë me një rreze veprimi prej 40 kilometrash, të aftë për të kapërcyer luftën elektronike, përfaqësojnë një nivel të ri aftësie për të sulmuar armikun”, tha ai.

Lufta elektronike është bërë një nga elementët kryesorë të mbrojtjes së Rusisë kundër arsenalit të dronëve të Ukrainës, ku ajo kërkon të prishë navigimin dhe të parandalojë dronët të godasin objektivat e tyre duke bllokuar dhe falsifikuar sinjalet.

Nëse sistemet e reja rezultojnë të qëndrueshme, ato mund të përmirësojnë ndjeshëm aftësinë e Ukrainës për të goditur qendrat logjistike, pozicionet e artilerisë dhe pajisjet pas linjave ruse.

“Dronët luftarakë po bëhen një zgjidhje e lirë dhe praktike për vijat e frontit. Nuk është e vështirë t’i prodhosh ato në sasi të konsiderueshme”, shtoi Fedorov.

Ndryshe, Kievi e ka zgjeruar me shpejtësi programin e tij të dronëve që nga fillimi i agresionit rus në 2022.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se Ukraina mund të prodhonte deri në 8 milionë dronë në vit, por i mungonin burimet financiare për të arritur këtë qëllim.