Burimet thonë se Zelensky mbërriti me propozimin e tij, të koordinuar me Evropën dhe këmbënguli për bisedime në një format më të gjerë.
Ukraina nuk e ka pranuar një plan të ri, deri diku të fshehtë, mes SHBA-ve dhe Rusisë, për t’i dhënë fund luftës, duke përfshirë dorëzimin e territoreve ukrainase te Rusia dhe zvogëlimin e konsiderueshëm të Ushtrisë së Kievit.
Sipas Financial Times, zyrtarët ukrainas thonë se dokumenti përsërit kërkesat maksimaliste të Kremlinit dhe është i papranueshëm në formën e tij aktuale.
I dërguari special i Trump, Steve Witkoff, anuloi takimin e tij me Zelenskyn në Turqi pasi kuptoi se presidenti ukrainas nuk donte të diskutonte planin amerikan të paqes, raporton nga ana tjetër Axios.
Burimet thonë se Zelensky mbërriti me propozimin e tij, të koordinuar me Evropën dhe këmbënguli për bisedime në një format më të gjerë.
Trump mbështeti vendimin e Witkoff për të anuluar takimin sepse nuk shihte perspektiva për përparim.
“Tani do të presim. Topi është në fushën e Zelenskyt”, tha një zyrtar amerikan i paidentifikuar për arsye sigurie rreth çështjes.
Ai shtoi se Zelensky mund të vinte në Washington për të diskutuar planin e ri amerikan nëse dëshiron.
Gazetari Christopher Miller i FT konfirmoi se dokumenti iu dorëzua Kievit përmes Witkoff dhe kreut të Fondit Rus të Investimeve Direkte, Kirill Dmitriev. Sipas tij, Zelensky ishte i pakënaqur me propozimin.
Plani i ri i paqes i Shtëpisë së Bardhë doli të ishte i ngjashëm me memorandumin famëkeq të Stambollit të Kremlinit – i cili do të përbënte kapitullim de facto.
Detaje të tjera
SHBA-të i kanë sinjalizuar Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky se Ukraina duhet të pranojë një kornizë të hartuar nga SHBA-të për t’i dhënë fund luftës me Rusinë, e cila propozon që Kievi të heqë dorë nga territori dhe disa armë, thanë të mërkurën dy persona të njohur me çështjen.
Burimet, të cilat kërkuan të mos identifikoheshin për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, thanë se propozimet përfshinin, ndër të tjera, uljen e madhësisë së forcave të armatosura të Ukrainës.
Kështu ka raportuar agjencia e lajmeve Reuters lidhur me çështjen.
Washingtoni dëshiron që Kievi të pranojë pikat kryesore, thanë burimet.
Administrata e Shtëpisë së Bardhë po përgatitet ndërkaq të zbulojë, brenda pak ditësh, një plan sekret paqeje mes Ukrainës dhe Rusisë – një dokument i hartuar nga ekipi i Presidentit Donald Trump në negociata të drejtpërdrejta me Moskën, pa praninë e Kievit apo vendeve evropiane në tryezë.
Sipas burimeve të POLITICO, plani është zhvilluar në mënyrë të izoluar dhe synon t’i paraqitet Ukrainës si një fakt i kryer, duke i lënë Presidentit Volodymyr Zelensky shumë pak hapësirë manovrimi nën presionin e rrethanave.
Zyrtarë të lartë amerikanë janë të bindur se Kievi “nuk do të ketë zgjidhje tjetër” veçse ta marrë në konsideratë planin.
Qasja e administratës Trump duket se lë jashtë çdo rol vendet evropiane, pavarësisht ndikimit të konfliktit në kontinent dhe mbështetjes së vazhdueshme që BE ka ofruar për Ukrainën. Një zyrtar i lartë amerikan është shprehur prerazi: “Për Evropën? Nuk na intereson shumë”.
Zhvillimet vijnë në një moment kritik të luftës, ndërsa Ukraina përballet me sfida të rënduara në front dhe një klimë të brishtë politike në Perëndim.
Nxjerrja e një plani të tillë të negociuar pa pjesëmarrjen e Kievit pritet të shkaktojë reagime të forta diplomatike, veçanërisht nga aleatët evropianë, ndërsa mbetet e paqartë se çfarë përmban konkretisht marrëveshja që Washingtoni dhe Moska kanë diskutuar në mënyrë të fshehtë.
Ky veprim sinjalizon një ndryshim të thellë në strategjinë e SHBA-ve dhe sjell pasoja të rëndësishme për arkitekturën e sigurisë në Evropë dhe për ecurinë e luftës në Ukrainë.











