Ukraina po përgatitet t’i paraqesë Shtëpisë së Bardhë një plan të ri për paqe, teksa kërkon të shmangë çfarëdo lëshimi territorial ndaj Rusisë.
Kievi pritet t’i propozojë alternativa SHBA-së, pasi presidenti Volodymyr Zelensky përsëriti se nuk do të dorëzojë tokë, duke thënë se “nuk ka asnjë të drejtë” ta bëjë një gjë të tillë, sipas ligjit ukrainas dhe atij ndërkombëtar.
Ai i bëri këto komente gjatë takimeve me liderët evropianë dhe ata të NATO-s të hënën, pjesë e një përpjekjeje të përbashkët për të dekurajuar SHBA-në nga mbështetja e një marrëveshjeje paqeje që do të përfshinte lëshime të mëdha nga Ukraina – marrëveshje që aleatët frikësohen se do ta linte vendin të cenueshëm ndaj një agresioni të ardhshëm.
Ndërkohë, qyteti Sumy në veriperëndim të Ukrainës mbeti pa energji elektrike gjatë natës pas një sulmi rus me dronë. Guvernatori i rajonit njoftoi se dhjetëra dronë kishin goditur infrastrukturën energjetike, në sulmet e natës që Rusia po kryen pothuajse çdo ditë. Nuk u raportuan viktima.
Turneu diplomatik i Zelenskyt në Evropë vjen pas ditësh të tëra bisedimesh intensive mes negociatorëve amerikanë dhe ukrainas gjatë fundjavës, të cilat nuk prodhuan një marrëveshje që Kievi mund ta pranonte.
Zelensky pritej të informohej të hënën nga shefi i stafit të tij, Rustem Umerov, i cili shkroi në Telegram se do t’i raportonte detajet e bisedave të drejtpërdrejta mes SHBA-së dhe presidentit rus Vladimir Putin.
Sipas agjencisë AFP, presidenti ukrainas ka thënë në një konferencë për shtyp se ekipi i tij mund t’i dërgojë një propozim të ri amerikanëve që të martën.
“Rusia këmbëngul që ne t’i lëshojmë territore, por ne nuk duam të heqim dorë nga asgjë. Ne nuk kemi asnjë të drejtë ligjore ta bëjmë këtë, as sipas ligjit ukrainas, as kushtetutës sonë, as sipas ligjit ndërkombëtar. Dhe nuk kemi as të drejtë morale”, ka thënë Zelensky i pyetur për mundësinë e dorëzimit të territorit.
Zelensky ka theksuar në vazhdimësi se çdo ndryshim i kufijve të Ukrainës do të duhej të miratohej përmes një referendumi publik.











