Ukraina nuk ka një alternativë të qëndrueshme ndaj rrjetit satelitor Starlink në pronësi të miliarderit amerikan Elon Musk, tha CEO e Eutelsat, Eva Berneke.
Eutelsat, një operator satelitor francez që ofron shërbime të kufizuara në Ukrainë përmes një distributori të financuar nga qeveria gjermane, pavarësisht përpjekjeve aktuale për të rritur kapacitetin, ende nuk mund të përputhet me Starlink dhe të marrë përsipër shërbimet e tij, transmeton Telegrafi.
“Nëse do të merrnim përsipër kapacitetin e plotë të lidhjes për Ukrainën dhe të gjithë qytetarët, ne nuk do të ishim në gjendje ta bënim këtë. Le të jemi plotësisht të sinqertë”, tha Berneke për Politiko.
Sipas saj, Eutelsat mund të marrë përsipër kapacitetin “për disa raste kritike”.
Rrjeti Starlink i Musk përfshin 7000 satelitë, ndërsa Eutelsat ka vetëm 600.
Terminalet Starlink mund të ofrojnë një kapacitet lidhjeje që tejkalon ndjeshëm aftësitë e operatorit evropian.
Sistemi Starlink është jetik për forcat ukrainase që luftojnë kundër ushtrisë ruse, shkruan Kyiv Independent.
Elon Musk, një aleat i presidentit amerikan Donald Trump, paralajmëroi në mars se e gjithë linja e frontit në Ukrainë do të bie nëse ai fik Starlink.