Ukraina konfirmon: Kemi bërë përparim të rëndësishëm me SHBA-në në marrëveshjen e mineraleve

Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara kanë bërë “përparim të konsiderueshëm” në bisedimet për një marrëveshje mbi mineralet dhe pritet që së shpejti të nënshkruajnë një memorandum për këtë çështje, deklaroi të mërkurën zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Julia Sviridenko.

Presidenti amerikan, Donald Trump po kërkon një marrëveshje dypalëshe për mineralet si pjesë e përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës së Ukrainës kundër agresionit rus.

Lideri amerikan e sheh këtë marrëveshje edhe si një mënyrë për të rikuperuar miliarda dollarët që Shtetet e Bashkuara kanë shpenzuar për ndihmën ushtarake ndaj Ukrainës. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë se Ukraina nuk ka ndërmend ta njohë ndihmën ushtarake të administratës së mëparshme amerikane si një hua.

“Ekipet tona teknike kanë bashkëpunuar shumë ngushtë dhe në mënyrë të detajuar për këtë marrëveshje, dhe është bërë një përparim i madh. Stafi ynë ligjor ka përpunuar disa pika brenda draftit të marrëveshjes”, shkroi Sviridenko në një postim në rrjetin social X.

Ajo shtoi se bashkëpunimi për marrëveshjen do të vazhdojë dhe se të dyja palët janë pajtuar për nënshkrimin e një memorandumi në të ardhmen e afërt, që do të përfaqësojë hapin e parë për të shënuar këtë përparim.

Shtetet e Bashkuara kanë ulur vlerësimin e kostos së ndihmës së destinuar për Ukrainën që nga fillimi i pushtimit rus në vitin 2022 – nga rreth 300 miliardë dollarë në afërsisht 100 miliardë dollarë – raportoi të mërkurën Bloomberg News, duke iu referuar burimeve të njohura me këtë çështje.

Muajin e kaluar, administrata Trump propozoi një marrëveshje të re dhe më të gjerë për mineralet, e cila nuk i garanton Ukrainës ndonjë mbrojtje të ardhshme në aspektin e sigurisë, por që kërkon që të gjitha të ardhurat nga shfrytëzimi i burimeve natyrore nga ndërmarrjet shtetërore dhe private në territorin ukrainas të derdhen në një fond të përbashkët investimesh.

Marrëveshja e ardhshme do të kërkojë ratifikimin nga parlamenti ukrainas dhe pritet të kontribuojë në rritjen ekonomike të të dyja vendeve, tha Sviridenko, pa dhënë më shumë hollësi.