Ukraina ka humbur një aeroplan luftarak F-16 pas një “situate të pazakontë” në bord, por piloti ka arritur të hidhet me parashutë në mënyrë të sigurt, kanë bërë të ditur forca ajrore ukrainase.
“Sipas të dhënave paraprake… ka ndodhur një situatë e pazakontë në bord. Piloti e ka larguar aeroplanin nga zona e banuar dhe është katapultuar me sukses”, thuhet në njoftimin në Telegram.
Forcat ajrore shtuan se “gjendja e pilotit është e mirë. Është caktuar një komision për të hetuar të gjitha rrethanat e ngjarjes”.
Sipas deklaratës, duket se humbja e aeroplanit nuk ka ndodhur si pasojë e sulmeve ruse, shkruan skynews.
Kjo është përplasja e dytë që përfshin një F-16 që nga momenti kur forcat ukrainase nisën të marrin këto aeroplanë nga aleatët amerikanë vitin e kaluar.
Në fund të muajit gusht, një F-16 u rrëzua dhe piloti humbi jetën teksa përpiqej të zmbrapste një sulm të madh ajror rus.