Ukraina ka goditur urën e Kerçit në Krime, një infrastrukturë kyçe e ndërtuar ilegalisht nga Rusia pas aneksimit të njëanshëm të gadishullit ukrainas në vitin 2014.
Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU) publikoi të martën një video të shpërthimit, duke treguar momentin kur ndodhi sulmi nën ujë.
Operacioni, që u përgatit për disa muaj, është ndërmarrë nga SBU dhe përfaqëson goditjen e tretë ndaj kësaj ure që nga nisja e pushtimit të plotë rus të Ukrainës. “Operacioni zgjati disa muaj.
Agjentët e SBU-së vendosën eksplozivë në mbështetëset e kësaj ndërtese ilegale”, thuhet në deklaratën zyrtare të publikuar në Telegram. Sipas SBU-së, shpërthimi i parë ndodhi në orën 04:44 të mëngjesit, pa shkaktuar viktima civile.
Në deklaratë thuhet gjithashtu se mbështetëset nënujore të urës janë dëmtuar rëndë, pasi janë shpërthyer rreth 1.100 kilogramë eksplozivë (ekuivalenti i tritolit), përcjell Euronews.
Ura e Kerçit lidh Rusinë me gadishullin ukrainas të Krimesë dhe përfaqëson një korridor jetik për furnizimin dhe transportin e forcave ruse drejt territoreve të pushtuara, veçanërisht në jug të Ukrainës.
Ukraina e ka goditur më parë këtë urë në tetor të vitit 2022 dhe në korrik të 2023-ës, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme, por pa e nxjerrë jashtë funksionit.
Kjo goditje e fundit vjen vetëm dy ditë pas një sulmi të guximshëm të Ukrainës me dronë ndaj aviacionit strategjik rus dhe është mbikëqyrur personalisht nga kreu i SBU-së, Vasyl Maliuk.
“E treta e vërteta. SBU gjithmonë i çon planet në fund dhe nuk përsëritet kurrë,” deklaroi Maliuk, duke e cilësuar urën e Krimesë si një “objektiv absolutisht legjitim”.
“Krimea është Ukrainë dhe çdo akt okupimi do të trajtohet ashpër,” theksoi ai.
Sipas kanaleve lokale në Telegram, ura e Krimesë është mbyllur për qarkullim të martën në mëngjes.
Ndërkohë, disa media ruse raportojnë se një dron ukrainas është rrëzuar mbi urë dhe mbetjet e tij kanë rënë në rrugë.
Ministria ruse e Mbrojtjes ka pretenduar se ka rrëzuar tre dronë ukrainas mbi Krime gjatë natës.