Ukraina dhe Rusia nisin shkëmbimin më të madh të të burgosurve

Rusia dhe Ukraina kanë dorëzuar secila nga 390 ushtarë dhe civilë në shkëmbimin më të madh të të burgosurve që nga fillimi i pushtimit të plotë rus në vitin 2022.

Të dyja palët kthyen 270 ushtarakë dhe 120 civilë në kufirin ukrainas me Bjellorusinë, si pjesë e marrëveshjes së vetme të arritur në bisedimet e drejtpërdrejta në Stamboll një javë më parë, raporton BBC.

Palët ishin dakorduar për shkëmbim prej 1.000 të burgosurish dhe konfirmuan se do të kishte shkëmbime të mëtejshme në ditët në vijim.

Ani pse ka pasur dhjetëra shkëmbime në shkallë më të vogël, asnjë dorëzim tjetër nuk ka përfshirë kaq shumë civilë.

Ministria ruse e Mbrojtjes ka njoftuar se ushtarakët dhe civilët, përfshirë ata të kapur nga forcat ukrainase në rajonin kufitar Kursk të Rusisë gjatë ofensivës së Kievit në muajt e fundit, ishin midis atyre që u dorëzuan.

“Ne po i sjellim njerëzit tanë në shtëpi”, njoftoi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në mediat sociale. “Po verifikojmë çdo mbiemër, çdo detaj rreth secilit person”.

Shtabi i koordinimit për të burgosurit e luftës në Ukrainë ka bërë të ditur  se 270 ushtarakët ukrainas kishin luftuar në rajone në të gjithë lindjen dhe veriun, nga Kievi, Chernihivi dhe Sumy deri në Donetsk, Kharkiv dhe Kherson. Tre nga 390 të liruarit të premten ishin gra.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump tek uroi në platformën e tij “Truth Social”, pretendoi se shkëmbimi ishte i plotë dhe se kjo mund të çojë në diçka të madhe.

Familjet e ushtarëve ukrainas të mbajtur nga Rusia u mblodhën në Ukrainën veriore të premten me shpresën se djemtë dhe burrat e tyre do të ishin midis të liruarve.

Marrëveshja u arrit në Turqi një javë më parë, kur delegacionet e nivelit të ulët nga Ukraina dhe Rusia u takuan ballë për ballë për herë të parë që nga marsi 2022, edhe pse takimi zgjati vetëm dy orë dhe nuk arriti të sillte ndonjë përparim drejt një armëpushimi.