Në popull thuhet se ujku, kur bie ndër bagëti, ha vetëm pjesën e vet, gjënë e haramit; ai merr vetëm një nga bagëtitë, ndërsa të tjerat vetëm i dëmton e i lë në vend, në se janë të haramit; kur bie ujku ndër berre, ato më vonë do të kenë mbarësi.
Në popullin tonë ujku është egërsirë me atribute të mbinatyrshme, cilësi që ky qenës i kishte edhe te Ilirët. Vetë emri Ulqin-Ulkinion, qytet port në breg të Adriatikut në perëndim të Shkodrës mendohet se ka origjinë totemike; ka lidhje me një fis me të njejtin emër.
Në legjendat mitike ujqërit janë nën mbrojtjen e Shën Martinit; ki fundit i ushqen me disa kokrra të jeshilta në madhësinë e një kokër dëllinje ose u cakton kafshët shtëpiake që kanë për të ngrënë. Ujku, sipas besimeve, shumë herë bie në bagëti e nuk merr asnjë se e ka gojën e mbyllur, ‘’të drynueme’’; ‘’ia ka drynue i Shmërtini’’. Prej andej e ka rrjedhën dhe shprehja: ‘’Pse sflet a ta ka mbyllë gojën i Shën Mërtini’’, thënë për një që nuk flet kur duhet ose kur i kërkohet të flasë. Si mbrojtës e zotërues i ujqërve, herë-herë del i Shën Gjergji, ose Hazreti, Hezri, shejti.
Lëkura a dhëmbi i ujkut përdoret si hajmali për fëmijët, që mos të sëmuret e të mos dëmtohet nga shtrigat a syri i keq. Dhëmbin e ujkut ia varim në ballë edhe kalit që të mos e zërë syri i keq.
Ujku është i lidhur ngushtë me kumbarën a ndrikullën. Po t’i shajë a t’i bjerë dikush ndesh ndrikullës e kumbarës, bie ujku ndër bagëti si ndëshkim për mëkatin e bërë. Në këtë kontekst ujku konsiderohet ‘’qeni i Shën Gjonit’’, pra i shenjtorit mbrojtës të kumbarisë.
Në popull thuhet se ujku, kur bie ndër bagëti, ha vetëm pjesën e vet, gjënë e haramit; ai merr vetëm një nga bagëtitë, ndërsa të tjerat vetëm i dëmton e i lë në vend, në se janë të haramit; kur bie ujku ndër berre, ato më vonë do të kenë mbarësi.
Besohet në popull se ujku ka qenë qen. Gruaja u lodh duke ruajtur gjënë e gjallë në mal e u ul të pushojë e tha: ‘’tash jam lodhë e s’kam c’ka të baj. Edhe në m’i marrtë gja dhent, nuk po kam dert’’. E dëgjojë qeni këtë fjalë dhe kapi qengjin më të mirë dhe e hëngri. Qeni u bë ujk e mbeti në mal. ‘’Ujku nuk bënë të keq por merr haramin e tufës’’. Pra deri atëherë nuk kishte ujqër, gruaja, me veprimet e saj të pamatura u bë shkak në krijimin e ujkut në botë.
Shkëputur nga libri ‘’Mitologjia Ndër Shqiptarë-Mark Tirta’’