Uji nga Badoci vazhdon të jetë i papijshëm, KRU “Prishtina”: As vlimi s’e eliminon manganin

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka ripërsëritur thirrjen që qytetarët, të cilët furnizohen me ujë nga Liqeni i Badocit, të mos e përdorin ujin për pije për shkak të gjendjes aktuale me fenomenin “Mangan”.

Në njoftim thuhet se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ka theksuar se ndotja e ujit me mangan është ndotje kimike dhe se vlimi i ujit nuk e eliminon manganin.

“Uji mund të përdoret vetëm për pastrim, mirëmbajtjen e higjienës personale dhe të ambienteve të banimit”, thuhet në njoftim.

IKSHPK ka sforcuar kontrollin e cilësisë së ujit të pijshëm si dhe bashkëpunimin me KRU Prishtinë për të siguruar ujin cilësor për qytetarët.

“KRU ‘Prishtina’ Sh.A. ka ndërmarrë menjëherë masat e nevojshme: Zvogëlimin e sasisë së prodhimit për të ruajtur cilësinë e furnizimit, intensifikimin e proceseve të shpëlarjes së rrjetit shpërndarës, përfshirë edhe gypat magjistral dhe sekondar”, thuhet më tej në njoftim.

Gjithashtu, për të siguruar furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm për zonat e prekura (sipas hartave të prezantuara), KRU “Prishtina” ka thënë se do të ofrojë ujë përmes autoboteve, në përputhje me orarin e përcaktuar dhe të prezantuar nga kompania.

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) dhe Banka Qendrore Evropiane (BQE) kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për forcimin e mekanizmave kundër falsifikimit të kartëmonedhave euro, duke e vendosur Kosovën më pranë standardeve të Bashkimit Evropian në këtë fushë. Marrëveshja u nënshkrua nga guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, dhe presidentja e BQE-së, Christine Lagarde. Sipas njoftimit zyrtar, ky hap shënon një moment të rëndësishëm në integrimin e BQK-së në rrjetin profesional të Eurosistemit dhe partnerëve ndërkombëtarë përmes Sistemit të Monitorimit të Falsifikimeve të BQE-së (CMS). “Përmes kësaj marrëveshjeje, BQK do të ketë qasje në mekanizmat operativë të BQE-së të dizajnuar për të parandaluar dhe luftuar falsifikimin e kartëmonedhave euro”, thuhet në komunikatën e institucionit kosovar, ku theksohet se bashkëpunimi do të përfshijë edhe shkëmbimin e informacionit teknik dhe ndërtimin e kapaciteteve vendore. Ky projekt është zhvilluar me mbështetjen e Bankës Kombëtare të Kroacisë dhe institucioneve relevante të Kosovës në kuadër të TAIEX-it të BE-së, duke synuar krijimin e Qendrës Kombëtare Kundër Falsifikimit dhe të Sistemit Kombëtar për Monitorimin e Falsifikimeve. BQK vlerësoi rolin e partnerëve ndërkombëtarë, veçanërisht të BQE-së, dhe riafirmoi përkushtimin për modernizimin e përpunimit të parasë, rritjen e vetëdijes publike dhe avancimin e Kosovës drejt integrimit të plotë në praktikat e përbashkëta të BE-së.