Nga turbullirat që janë shkaktuar si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut, uji i liqenit të Badocit tash e gati një muaj vazhdon të jetë i papijshëm.
Në lidhje me analizat që janë duke u bërë nga institucionet përgjegjëse për cilësinë e ujit që vjen nga ky liqen, për Radio Kosovën ka folur zyrtarja për media e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, Era Pireva.
“Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës po vazhdon kontrollimin e përditshëm të cilësisë së ujit në rrjetin shpërndarës nga liqeni i Badocit. Aktualisht, uji nuk rekomandohet për pije pasi turbullira vazhdon të jetë mbi kufijtë e lejuar sipas standardeve ligjore. Mostrat dhe analizat merren dhe kryhen çdo ditë, ndërsa rezultatet përfundojnë zakonisht rreth orës 14:00. Sa të arrihet përputhshmëria e plotë me standardet, uji do të lejohet për pije dhe kjo do të komunikohet menjëherë te qytetarët”, ka thënë Pireva.
Se uji vazhdon të jetë i papijshëm, për Radio Kosovën në një përgjigje më shkrim e ka bërë të ditur zëdhënësja e kompanisë rajonale të ujësjellësit “Prishtina”, Arjeta Mjeku.
“Uji nga Badoci ende është i pa pijshëm. Gjendja është në përmirësim, po ende jo për pije”, ka thënë Mjeku.
Lagjet në Prishtinë të cilat furnizohen me ujë nga liqeni i Badocit janë: Lagjja e Spitalit, Bregu i Diellit, Hajvalia, Veterniku, Matiçani dhe Graçanica. Qytetarët e këtyre lagjeve ka gati një muaj që janë duke u përballur me mungesë të ujit për pije për shkak të turbullirës. Ujin që vjen nga liqeni i Badocit janë duke e përdorur vetëm për higjienë.










