Katër mësonjëtore në bodrumin e shkollës “Ismail Qemali” në Prishtinë janë përmbytur nga ujërat e zeza të kanalizimit të lagjes dhe kjo nuk është hera e parë. Ndërsa klasat janë pastruar dhe rikthyer në gjendje normale për vazhdim të mësimit.
Drejtoria e shkollës dhe Drejtoria Komunale e Arsimit në Prishtinë janë përkushtuar që ky problem në tërësi të përmbyllet sa më parë, ndërsa klasat janë të gatshme për vazhdim të procesit mësimor. Megjithatë, prindër dhe nxënës kanë protestuar që nxënësit mos të vazhdojnë mësimin në ambientet e prekura nga ujërat e zeza.
Të shqetësuar prindër dhe nxënës të klasave të pesta të cilët e kanë zhvilluar procesin mësimor në katër mësonjëtore në bodrumin e shkollës fillore “Ismail Qemali” të cilat ishin ndotur nga ujërat e zeza, protestuan në oborrin e shkollës.
“Po e shoh në çfarë shkolle është tu ardhur edhe në ditën e dytë të shkollës në vend t’i bëjë 5 orë, ajo erdhi pas dy orëve edhe për kushtet ku s’kanë pasur ku të mbanin mësim, kanë mbajtur mësim në orën e fundit në oborr, për shkak të vërshimit të kanalizimit edhe as shiu as bora e çka presim na më vonë”, tha Nakshije Gjonbalaj, familjare.
Problemi i përmbytjes së mësonjëtoreve në bodrumin e shkollës, i cili kishte ndodhur edhe tri herë gjatë vitit, ishte menduar që po vjen nga reshjet. Por, sipas drejtoreshës së shkollës, Mimoza Krasniqi, me identifikimin se ky problem po vjen nga kanalizimi i lagjes, ka ndodhur edhe mobilizimi i të gjitha instancave përgjegjëse.
Mimoza Krasniqi – Drejtore e shkollës “ Ismail Qemali “, Prishtinë
“Kemi thirrur dhe e kemi bërë më madhore ne si drejtori që të bëhet një ndërhyrje për shkak të ujit që ka hy në shkollë, drejtoria iu ka përgjigj thirrjes, punimet kanë filluar, besoj që ky problem ka me u mënjanuar në mënyrë të përhershme”, tha Mimoza Krasniqi, drejtoreshë e shkollës.
Sipas saj, tashmë klasat janë pastruar, lyer, dezinfektuar dhe ajrosur dhe janë të gatshme të përdoren për vazhdimin e procesit të mësimit./rtk
The post Ujërat e zeza në shkollën ‘Ismail Qemali’, protestojnë prindër e nxënës appeared first on Kosovapost.net.