Ajo që pritej, tashmë konfirmohet edhe zyrtarisht. Gianluca Prestianni do të mungojë për ndeshjen e kthimit në Champions League ndaj Real Madridit në “Santiago Bernabeu”.
Argjentinasi është pezulluar me një ndeshje sepse dyshohet për komente raciste ndaj Vinicius Junior, duke e quajtur brazilianin “majmun”. Në njoftimin zyrtar, UEFA bën me dije se hetimi për Prestianni vazhdon akoma dhe nuk përjashtohet dënimi në një fazë të mëvonshme, kur të dalë qëndrimi përfundimtar për situatën e ndodhur në Lisbonë.
“Organi i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës i UEFA-s ka vendosur sot të pezullojë përkohësisht z. Gianluca Prestianni për ndeshjen e ardhshme në Champions League, për shkelje të Nenit 14 të Rregullores Disiplinore të UEFA-s në lidhje me sjelljen diskriminuese. Ky vendim nuk përjashton asnjë sanksion që mund të vendoset në një fazë të mëvonshme, pas përfundimit të hetimit në vazhdim dhe dorëzimit të tij përkatës në organet disiplinore të UEFA-s”, thuhet në njoftimin për shtyp të UEFA-s.
Pas vendimit të UEFA-s, ka reaguar edhe klubi i Benfica, që bën me dije se lojtari do ta apelojë vendimin tek autoritetet përkatëse të UEFA-s. Gjithashtua, Benfica bën me dije se është tërësisht e angazhuar si klub në luftën ndaj racizimit.
“Klubi shpreh keqardhje që u privua nga shërbimet e lojtarit të saj gjatë kohëzgjatjes së procedurave dhe njofton qëllimin e tij për të apeluar vendimin tek autoritetet përkatëse të UEFA-s. Megjithatë, sqaron se afatet procedurale nuk do të kenë ndikim në ndeshjen e dytë të play-off-it të Ligës së Kampionëve.
Benfica riafirmon angazhimin e saj të fortë dhe të palëkundur për të luftuar të gjitha format e racizmit dhe diskriminimit”, thuhet në reagimin për shtyp të klubit portugez.
The post UEFA merr vendimin drastik ndaj Prestianni-t për komentin racist ndaj Vinicius Junior. Reagon ashpër Benfica appeared first on Telesport.







