Qelizat e gjakut njerëzor që u dërguan në hapësirë filluan të humbisnin aftësinë e tyre për të krijuar qeliza të reja të shëndetshme, në një shenjë të plakjes së përshpejtuar, zbuloi studimi.
Shkuarja në hapësirë mund të përshpejtojë plakjen biologjike, sipas një studimi të ri që gjurmoi ndryshimet në qelizat staminale njerëzore gjatë katër misioneve në hapësirë.
Studimi, i cili u mbështet nga agjencia amerikane hapësinore NASA, zbuloi se qelizat e gjakut që u dërguan në hapësirë humbën një pjesë të aftësisë së tyre për të krijuar qeliza të reja të shëndetshme dhe filluan të tregonin dëmtime gjenetike, të dyja shenja të plakjes së përshpejtuar.
“Hapësira është testi përfundimtar i stresit për trupin e njeriut”, tha Dr. Catriona Jamieson, një nga autoret e studimit dhe drejtoreshë e Institutit të Qelizave Staminale Sanford në Universitetin e Kalifornisë San Diego në SHBA.
Ekipi i Jamieson përdori mjete të mundësuara nga Inteligjenca Artificiale (Al) për të gjurmuar ndryshimet në kohë reale në qelizat njerëzore që u dërguan në katër misione SpaceX në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor (ISS), shkruan euronews.
Ata përdorën qeliza burimore hematopoietike dhe qeliza paraardhëse (HSPC), të cilat janë përgjegjëse për prodhimin e qelizave të gjakut, duke i bërë ato kritike për shëndetin e njeriut, duke përfshirë funksionin e sistemit imunitar.
Kur këto qeliza qëndruan në hapësirë për 32 deri në 45 ditë, ato filluan të humbisnin aftësinë e tyre për të krijuar qeliza të reja të shëndetshme, zbuloi studimi.
Shenjat e erozionit molekular, për shembull dëmtimi i ADN-së dhe telomeret më të shkurtra, bëhen gjithashtu më të dukshme.
“Këto gjetje janë jashtëzakonisht të rëndësishme sepse tregojnë se faktorët stresues të hapësirës – si mikrograviteti dhe rrezatimi kozmik galaktik – mund të përshpejtojnë plakjen molekulare të qelizave staminale të gjakut”, tha Jamieson në një deklaratë.
Vlen të përmendet se kur këto qeliza u kthyen në Tokë dhe u vendosën në një mjedis më të shëndetshëm, disa nga dëmtimet filluan të zbehen, sipas studimit, i cili u botua në revistën Cell Stem Cell.
Ndryshe, gjetjet nënvizojnë nevojën për masa të reja për të mbrojtur shëndetin e astronautëve gjatë misioneve të zgjatura hapësinore.