Udhëtime me para publike| Ministria e Rozeta Hajdarit jep tender 120 mijë euro për bileta

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, e udhëhequr nga ministrja në detyrë Rozeta Hajdari, ka dhënë një tender për blerjen e 400 biletave aeroplani, me vlerë të përgjithshme 120 mijë euro.

Edhe në qindra relacione të botës kanë paraparë të udhëtojnë ministrja në detyrë Rozeta Hajdari dhe stafi i saj.

Për këto udhëtime do të shpenzohen 120 mijë euro, kështu thuhet në tenderin që ka dhënë Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, shkruan Demokracia.com.

Sipas dokumenteve të tenderit, këto bileta janë paraparë për udhëtimet zyrtare të ministres dhe stafit të saj.

Kontrata është dhënë më 26 gusht 2025, ndërsa nënshkrimi i saj është planifikuar për 28 gusht 2025.

Në këtë garë morën pjesë dy kompani, të cilat ofruan çmime identike, ndërsa fituese është shpallur kompania Prime Tours & Travel SH.P.K. me seli në Prishtinë.

Vlera e përgjithshme e kontratës së lidhur është 120,004 euro, por dokumenti sqaron se kjo shumë nuk e përcakton çmimin real të biletave.

“Shërbimet e transportit ajror për nevojat e MINT.  Data e dhënies së kontratës   26.08.2025. Data e nënshkrimit te kontratës: 28.07.2025. Numri i tenderëve të pranuar: 2  Emri zyrtar: Prime Tours & Travel SH.P.K.  Vlera e përgjithshme e kontratës 120,004.00 euro”, thuhet në njoftimin e shpallur.

Në dosjen e tenderit tregohet se tender është shpallur pasi ky institucion ka mbetur pa bileta.

“Hargjimi i sasisë së kontratës aktuale dhe mos mbetja pa kontratë, paraqitja e nevojave të domosdoshme për institucionin për sigurimin e këqyre shërbimeve”.

Në dokumente saktësohet se vlera prej 400 euro për biletë është përdorur vetëm për qëllime kalkulimi dhe jo si çmim real i tregut. Në praktikë, çmimi i secilës biletë do të varet nga kostot aktuale në sistemet kompjuterike të rezervimit dhe mbi këtë çmim do të aplikohet vetëm një tarifë fikse shërbimi (service charge), e përcaktuar nga kompania fituese.

“Vlera e biletës prej 400 euro është një vlerë që shërben vetëm për kalkulim të çmimit dhe çmimi total do të përdorët vetëm për nevojat e vlerësimit të tenderit dhe nuk përcakton çmimin real të  kontratës pasi që çmimi do të krijohet përgjatë zbatimit të kontratës  nga çmimet që do të procedohen nga sistemi kompjuterik i rezervimit  AMADEUS, GALILO, SABRE, apo sistem tjetër të barasvlershëm apo sisteme online. Kontrata do te bazohet ne sasi”.

Tenderi është i detajuar edhe sa i përket mënyrës së dokumentimit të secilës blerje. Për çdo biletë të rezervuar, kontraktuesi është i obliguar që faturës t’i bashkëngjisë:

printimin e biletës elektronike me çmimin e lëshuar nga sistemi,

një “screenshot” të momentit të rezervimit ku shihen qartë çmimet dhe datat, si dhe një video të plotë të procesit të rezervimit, e realizuar përmes kamerës së vendosur përpara kompjuterit në zyrën e agjencisë.

Ky kusht është vendosur për të garantuar transparencë dhe për të shmangur abuzimet eventuale me çmimet e biletave.

Pagesa për biletat do të kryhet nga institucionet që i porosisin, brenda 30 ditëve nga pranimi i faturës dhe dokumentacionit përkatës. Tarifa e shërbimit do të mbetet fikse gjatë gjithë zbatimit të kontratës dhe nuk do të ndryshojë, pavarësisht çmimeve të ndryshme të biletave.

Në njoftimin e prokurimit thuhet gjithashtu se arsyeja e dhënies së kësaj kontrate është “harxhimi i sasisë së kontratës aktuale dhe mosmbetja pa kontratë, si dhe paraqitja e nevojave të domosdoshme për institucionin” – duke nënkuptuar se ministria tashmë kishte shfrytëzuar kontratën paraprake për shërbime të ngjashme dhe ka pasur nevojë të nënshkruajë një marrëveshje të re./Demokracia.com/.