Udhëtarët ankohen se bileta e integruar s’po funksionon

Udhëtarë të linjave nga komunat jashtë Prishtinës e që ndalesë kanë Stacionin e Autobusëve janë ankuar se pavarësisht hyrjes në fuqi të vendimit për biletën e integruar, po u duhet të paguajnë përsëri kur përdorin Trafikun Urban. Të njëjtën e kanë konfirmuar edhe shoferë të autobusëve të cilët prapa kamerave, kanë deklaruar se nuk ka interesim për të marrë biletat. Rastet e tilla komuna nuk i ka mohuar por që, ka udhëzuar ankuesit që të drejtohen tek Trafiku Urban për rimbursim.

Problematik në praktikë po del të jetë vendimi i disa javëve më parë i Kryetarit të Prishtinës, për transportin.

Përparim Rama vendosi që të gjithë qytetarët e komunave tjera që vijnë në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë, të kenë mundësi që falas pastaj ta shfrytëzojnë transportin publik në kryeqytet.

Por një praktikë e tillë, nuk po gjen zbatim.

“Duhet të paguaj ekstra, në cilën të hypsh duhet ta paguash. Jo nuk zbatohet. Hypi në Caralevë tek stacioni. Zbres këtu në stacion, dua të shkojë me 4shin ose pa marrë parasysh duhet të paguaj ekstra”, ka deklaruar Hyrije Hajrizi, udhëtare nga Shtimja.

Në këtë problem kanë hasur edhe të tjerë udhëtarë e të njëjtën, për televizionin e kanë konfirmuar edhe shoferë të autobusëve që vijnë nga jashtë Prishtinës po që nuk kanë pranuar të deklarohen para kamerës.

Mundësia për ndonjë rast nuk përjashtohet nga komuna, e cila tani veçse ka pranuar ankesa.

“Kemi pasur ankesa për disa raste që nuk është përfill vendimi por që kryesisht kanë qenë raste që nuk kanë zbarkuar në Stacion të Autobusëve por në pjesë të tjera e që nuk lejohet sepse vendimi thotë se vlen vetëm nga aty. Nëse ka raste që paguajnë tek Stacioni, nuk duhet të ndodhë sepse vendimi është obligativ në Trafik Urban. Nëse ka raste të tilla, qytetarët duhet t’i lajmërojnë në Trafikun Urban dhe të rimbursohen për mjetet që nuk është dashur t’iu mirren”, ka theksuar Donat Lushaku, Zëdhënës i Komunës së Prishtinës.

Për inspektimin e zbatimit të këtij vendimi, Lushaku thotë se përgjegjësia i takon Trafikut Urban ose Inspektoratit komunal.

Ndërsa verifikimi i udhëtarëve, po bëhet në dy forma.

“Forma e parë, kryesisht dhe zakonisht nga bileta p.sh që udhëton nga Peja në Prishtinë, nga kuponi fiskal dhe raste të nevojshme edhe kartelë identifikimi”, ka deklaruar Lushaku.

Televizioni ka provuar të kontaktojë edhe me Trafikun Urban lidhur me ankesat e pranuara nga udhëtarët dhe rastet e rimbursuara nëse ka të tilla, por drejtori i ka qenë i paqasshëm në telefon.