“UÇK-ja është lavdi, jo aktakuzë”, OVL-UÇK publikon një video para fillimit të protestës

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka publikuar një video në mbështetje të pjesëtarëve të UÇK-së, të cilët po mbahen në paraburgim në Hagë.

Në videon përmbledhëse, ata kanë paraqitur disa pamje të luftës, ushtarët e UÇK-së, e ku në video thuhet se UÇK-ja është lavdi, jo aktakuzë, transmeton Telegrafi.

Ndryshe, organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të mbajnë sot një protestë në Prishtinë, duke filluar nga ora 17:00 në kundërshtim të padrejtësive nga Gjykata Speciale dhe raportimeve se dosje e dokumente të Serbisë po përdoren nga Gjykata Speciale në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në një konferencë të mbajtur të mërkurën u kanë bërë thirrje qytetarëve që të dalin masivisht në protestë, në mbrojtje të luftës çlirimtare.

“I ftoj qytetarët që bashkëndjejnë me ne të marrin pjesë në këtë protestë në ora 17:00 në sheshin ‘Skëndërbeu’ për të dërguar një mesazh edhe te bashkësia ndërkombëtare se bashkëluftëtarët tanë nuk janë vetëm, dhe ne do jemi gati t’iu dalim në mbështetje sa herë të jetë nevoja”, është shprehur Gazmend Syla nga OVL e UÇK-së.

Disa komuna kanë organizuar transport falas për qytetarët që duan të marrin pjesë në protestë. /Telegrafi/

The post “UÇK-ja është lavdi, jo aktakuzë”, OVL-UÇK publikon një video para fillimit të protestës appeared first on Kosovapost.net.