Kryeministri maqedonas, Hristjan Mickoski, ende s’ka dhënë leje për protestën kundër Speciales në Shkup. VOX Kosova merr vesh se arsyeja që s’po e jep lejen është për shkak se ka frikë se mund t’i bie mbështetja tek maqedonasit.
Autoritetet e Maqedonisë së Veriut ende nuk kanë dhënë leje për mbajtjen e protestës kundër Gjykatës Speciale dhe në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila është paralajmëruar për 13 dhjetor në Shkup.
Këtë e ka konfirmuar për VOX Kosova nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Arbër Ademi. Ai tha se protesta do të mbahet, pavarësisht nëse autoritetet e lejojnë apo jo.
“Deri më tani nuk na kanë dhënë leje për organizimin e protestës. Jemi në pritje. Por ne jemi të qartë se me apo pa leje, protesta do të mbahet më 13 dhjetor në Shkup, në sheshin ‘Skënderbe’”, tha Ademi.
Burime të VOX Kosova thonë se arsyeja kryesore e mosdhënies së lejes lidhet me frikën politike të qeverisë maqedonase, e drejtuar nga VMRO-DPMNE. Kjo parti, me një diskurs të theksuar nacionalist, druhet se miratimi i një proteste pro-UÇK-së mund ta “dëmtojë imazhin” dhe “mbështetjen” e saj te votuesit maqedonas.
Se nuk ka ende leje për protestën e konfirmoi edhe nënkryetari i OVL-UÇK-së, Gazmend Syla.
“Fatkeqësisht deri më dje ende nuk kemi marrë një përgjigje nga Shkupi zyrtar për shfrytëzimin e hapësirës publike. Po presim dhe besoj që deri atëherë do të marrim një përgjigje. Si do që të jetë, kemi vendosur që të mbahet kjo protestë”, tha Syla në një konferencë për media të premten.
Kundërshtimi më i ashpër për protestën ka ardhur nga kryeministri maqedonas, Hristjan Mickoski. Ai e quajti protestën “lëvizje të gabuar” të Kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, dhe tha se pret që as koalicioni shqiptar VLEN — partnerët e tij në qeveri — nuk do ta mbështesin marshin.
“Me këtë protestë po mundohen të mobilizohen para Kongresit të partisë. Ata vetëm po e vërtetojnë se do ta kenë shumë të vështirë që në të ardhmen të gjejnë partner të koalicionit. Unë nuk e mbështes këtë ide dhe jam i bindur se as VLEN nuk do ta mbështes”, tha Mickoski.
Pak orë pas deklaratës së tij, Ali Ahmeti e njoftoi zyrtarisht protestën përmes Facebook-ut, duke bërë thirrje për pjesëmarrje masive.
“Ashtu siç qëndruam përkrah luftëtarëve të UÇK-së në Prishtinë dhe Tiranë, ashtu do të qëndrojmë edhe në Shkup, krenarë, të vendosur dhe të palëkundur në mbrojtje të së vërtetës sonë. Më 13 dhjetor, në orën 13:00, të gjithë në Shkup!”, shkroi Ahmeti.
VMRO-DPMNE njihet gjerësisht për qëndrimet e saj nacionaliste, të cilat shpesh janë konsideruar si “anti-shqiptare”. Në fushatën e zgjedhjeve parlamentare të majit 2024, kjo parti e kishte përqendruar narrativën pothuajse tërësisht kundër Ahmetit — një prej themeluesve të UÇK-së në Kosovë dhe ish-komandant suprem i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.
Por, edhe pasi që morën pushtetin, ka pasur akuza se ka ndjekur një politikë anti-shqiptare, duke qenë se shumë punonjës shqiptarë në administratë u larguan nga puna, u shfuqizua balancuesi – mekanizmin që rregullonte përfaqësimin e drejtë dhe adekuatë të bashkësive etnike në administratën publike – përpjekjet për shfuqizimin e Ligjit për Gjuhën Shqipe etj.
Edhe presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, që vjen nga radhët e VMRO-DPMNE-së, së fundmi ka propozuar krijimin e një Tribunali Ndërkombëtar për luftën e vitit 2001 mes UÇK-së dhe forcave maqedonase.











