Për vite të tëra, Lëvizja Vetëvendosje kishte bashkëpunuar ngushtë me kompaninë UBO Consulting, duke i paguar dhjetëra mijëra euro për matje të opinionit publik. Por, ky raport ndryshoi në mënyrë drastike gjatë zgjedhjeve lokale, kur UBO u bë objekt i sulmeve të ashpra nga kreu i VV-së, Albin Kurti, për shkak të EXIT POLL-it të Mitrovicës, shkruan Demokracia.com.
Megjithatë, vetëm pak ditë nga këto sulme, Ministria e Punëve të Brendshme, e udhëhequr nga Xhelal Sveçla, një nga figurat më të afërta të Albin Kurtit, ka futur UBO Consulting si fituese të tenderit të radhës për matje të opinionit në fushën e sigurisë së brendshme. Kontrata do të nënshkruhet më 1 dhjetor, vlera e saj është 28,800 euro, ndërsa kohëzgjatja 36 muaj.
Exit Poll-i që nxiti akuzat
Më 12 tetor, RTV Dukagjini publikoi Exit Poll-in e realizuar nga UBO Consulting për 12 komuna.
Për Mitrovicën, rezultatet ishin:
Arian Tahiri (PDK) – 55.9%
Faton Peci (VV) – 39.7%
Gëzim Plakolli (LDK) – 4.4%
Pas publikimit të rezultateve, u vërtetua se të dhënat e Exit Poll-it nuk kishin dalë të sakta. Nga ana tjetër, PDK kishte akuzuar Kurtin për ndërhyrje në Shipol të Mitrovicës, pikërisht në zonën ku ai kishte qëndruar tërë natën një ditë para zgjedhjeve. Dyshohet se në këtë pjesë të qytetit rezultatet e anketës nuk pasqyruan saktësisht vullnetin e votuesve, duke shtuar dyshimet dhe akuzat e ndërsjella mes subjekteve politike.
Këto të dhëna u kundërshtuan menjëherë nga Vetëvendosje. Albin Kurti doli publikisht duke e cilësuar Exit Poll-in si “inxhiniering zgjedhor” dhe “cenim të demokracisë”. Ai kërkoi hetim nga organet e drejtësisë dhe akuzoi kompaninë se kishte devijuar rezultatin me 16 pikë përqindje për ta dëmtuar kandidatin e VV-së.
Sipas Kurtit, ky nuk ishte një gabim teknik, por një veprim i paramenduar për të ndikuar në procesin zgjedhor. Ai e quajti publikimin e të dhënave “postim të lajmeve të rreme ende pa u mbyllur vendvotimet”, duke e cilësuar këtë si ndërhyrje flagrante.
““Ajo çka ndodhi më 12 tetor rreth raportimeve për Mitrovicën duhet hetuar e hulumtuar. Nuk bëhet fjalë vetëm për një huqje, por për një inxhiniering të paramenduar për ndërhyrje flagrante në procesin zgjedhor. EXIT POLL-et e prezantuara gabimisht me 16 pikë përqindjeje dallim, e më tepër se aq nga më shumë se një organizatë dhe për të njëjtën komunë, dhe postimi i lajmeve të rreme se kush ishte fituesi ende pa u mbyllur vendvotimet, nuk janë thjesht një huqje. Kjo është cenim i demokracisë, i zgjedhjeve të lira dhe i integritetit e i sigurisë së shtetit tonë. I ftoj organet e drejtësisë dhe të sigurisë që të merren me këtë çështje”, kishte thënë Kurti në një konferencë për media.
Exit Poll-et e realizuar i kishte sulmuar fort edhe Peci.
Pra, kompania e njëjtë që qeveria e Kurtit dikur e akuzonte për manipulim të procesit zgjedhor, sot shpërblehet me një kontratë trevjeçare për matje të opinionit, pikërisht të opinionit për fushën e sigurisë, që drejtohet nga një ministër i VV-së. /Demokracia.com/












